GREQI- Nga hetimet e deritanishme për vrasjen e shqiptarit Ilia Kareli në burgjet greke, është mësuar se 42-vjeçari u rrah egërsisht nga 4 ish-komando. Sakaq, nesër nis seanca e parë gjyqësore për 15 gardianë të akuzuar për rrahje. Prokurori në Serres Gjeorgji Toutonutzi tha se "U bëj thirrje të gjithë të akuzuarve, të kërkoni falje nesër".
Prokurorët në Selanik thanë se ish-komandot përdorën arte marciale mbi Karelin, kur ai ishte i lidhur pas shpine, ndërsa gardianët "special" u filmuan në korridor, duke përgatitur dhomën e torturës.
Në dëshminë e njërit prej komandove thuhet se "Teksa e godisja, e dallova që ndihej keq. E goditëm të gjithë, por nuk donim ta vrisnim, nuk ishim pa zemër."
Nga ekspertiza rezultoi se Kareli u qëllua në kafazin e kraharorit që ishte copëtuar, ndërsa u godit në shpinë dhe në thembrat e këmbëve me një kamxhik të improvizuar me një leckë të lagur dhe të lidhur nga të dyja skajet.