Nga 1 prilli, kanë hyrë në fuqi tarifat e reja të terminimit të thirrjeve dhe mesazheve në rrjet për operatorët celularë në vend. Kjo ka të bëjë me pagesën që bën një operator kur klienti komunikon me një operator të dytë, çka i ngarkohet në kosto përdoruesit të celularit. Tarifat e terminimit janë ulur në 2.66 lekë për "AMC" e "Vodafone", në 4 lekë për "Eagle Mobile" dhe në 6.52 lekë për "Plus"-in. Ulja do të vazhdojë përgjatë dy viteve dhe në janar 2016 kjo tarifë do të arrijë në 1.48 lekë për të katër operatorët. Kjo përbën një ulje me 68 deri në 83 për qind në raport me nivelet përkatëse aktuale të tarifave të terminimit.
Klientët e celularëve janë ankuar shpesh se tarifat e telefonisë së lëvizshme në Shqipëri janë të shtrenjta krahasuar me vendet evropiane, por gradualisht operatorët, nisur edhe nga konkurrenca në treg, kanë filluar të ofrojnë paketa me kosto më të ulët. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se në këtë treg ka shenja të monopoleve.