Demaçi: Thaçi ta tërheq kandidatin për president

alsatmtv 2015-08-22

Views 1

Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare dhe nderi i kombit Adem Demaçi edhe njëherë ka përsëritur se kreu i PDSH-së Menduh Thaçi është duke punuar në dëm të kombit shqiptar dhe vetvetes, me nxjerrjen e Iljaz Halimit kandidat për kryetar shteti. Në emisionin e mbrëmshëm "Rruga Drejt...", Demaçi përsëri i bëri thirrje kreut të PDSH-së Menduh Thaçi të rreshtohet bashkë me partitë e tjera shqiptare, BDI e RDK, të cilat nuk kanë nxjerrë kandidat të tyre për president. Kështu do të ndihmonte jetësimin e idesë që ka plasuar kreu i BDI-së Ali Ahmeti që një nga tre postet kyçe në Maqedoni të udhëhiqet nga shqiptarët.

"Nëse ka kohë dhe nëse ka aftësi që ti tërheq vendimet e veta do të ishte mirë për z. Thaçi që të mbetet me gjithë të tjerët. Të mos i ndaj, mos të përçajë, sepse nuk ka shans të fitojë, dhe atëherë nuk do të jetë i shpërblyer as nga maqedonasit. Kështu që le ta kuptojë që në këtë moment duhet një bashkim i shqiptarëve për ti shtyrë miqtë maqedonas të mendojnë më mirë, për ta shtyrë edhe Evropën që të aktivizohet më shumë", deklaroi Adem Demaçi, Nderi i Kombit.

Demaçi komentoi edhe mundësinë që shqiptarëve të Maqedonisë tu përsëritet 2006ta, kur në Qeveri i përfaqësonte partia që donte Gruevski dhe jo partia që zgjodhën shqiptarët. Sipas Demaçit, kjo nuk do të ndodhë kësaj radhe, për shkak se VMRO dhe PDSH nuk do të arrijnë të fitojnë 63 deputet të dyja.

"Nuk besoj se kësaj here mund të ndodh, kësaj here do të jenë shumë më pak. Unë besoj se edhe brenda popullit maqedonas do të fitojë fryma e cila do të largohet nga kjo që bëri deri tash z. Gruevski, dhe atëherë z. Thaçi do të gjendet edhe më keq. Kështu që e mira e të mirës është që ai ti bashkohet kombit të vet. Kjo që propozoi z. Ali Ahmeti, kjo ka logjikë, dhe ka vend. Kështu edhe do të bëhet në fund të fundit, sepse edhe Evropa edhe Amerika duan që gjërat të bëhen me bisedime, me marrëveshje, dhe të mos cenohet e drejta e asnjë populli", tha Adem Demaçi, Nderi i Kombit.

Adem Demaçi sqaroi edhe deklaratën e tij dhënë në RTK se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë jetimë, por kanë 2 shtete që i përkrahin. Kjo sipas Demaçit nuk është kërcënim, por paralajmërim për partitë maqedonase në vend.

"Mos të mashtrohet askush se ne mund të rrimë duarkryq se çfarë bëhet me këta shqiptarë sepse këta shqiptarë, kur ishim ne ngushtë, na dhanë bukë, na strehuan, na ndihmuan. Disa prej tyre morrën pjesë edhe në kryengritjen tonë. Jemi një gjak, gjaku nuk është ujë. Për këtë nuk i kërcënohemi askujt, por duam të ju tërheqim vërejtjen se mos të mendojnë se në bëjmë çfarë të dojmë, ndërsa këta të tjerët shikojnë njëfarë interesi", u shpreh Adem Demaçi, Nderi i Kombit.

Sipas Demaçit, për shqiptarët e Maqedonisë vjen një kohë e re politike, kur duhet të marrin përgjegjësinë për drejtimin e shtetit, gjë që sipas tij do të përmirësonte edhe imazhin e Maqedonisë në botë. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form