Në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të caktuara për më 13 prill, të drejtë vote kanë 1 779 572 qytetarë të regjistruar në Listën e vetme zgjedhore. KSHZ-ja përmbylli më në fund sot listën zgjedhore, me disa ditë vonesë, pasi mori informacionet e fundit për numrin e votuesve, nga Enti Shtetëror i Statistikave. Në këtë numër përfshihen edhe 39 persona që llogariten si të zhvendosur brenda vendit dhe 1076 të burgosur të cilët sipas Kodit Zgjedhor, të drejtën e tyre të votës e realizojnë më 12 prill, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
"Pas kryerjes së shqyrtimit publik në listën zgjedhore, në përputhje me nenin 52 të Kodit Zgjedhor, KSHZ-ja përmbyll listën zgjedhore dhe konstaton se numri i përgjithshëm i votuesve në listën e vetme zgjedhore për zgjedhjet presidenciale për vitin 2014 është 1 779 572 votues", deklaroi Nikolla Rillkovski, kryetar i KSHZ-së.
Sipas Rillkovskit, në vend figurojnë të regjistruar 1 707 228 votues, ndërsa 70 305 në diasporë, prej tyre 8 332 janë paraqitur që të realizojnë të drejtën e tyre të votës në përfaqësitë diplomatike; Konkretisht, në njësinë e 7 zgjedhore, e cila përfshinë Evropën dhe Afrikën, numërohen 5 892 votues, në njësinë e 8 zgjedhore që përfshin dy amerikat janë 1.426 votues dhe në njësinë e 9 zgjedhore që përfshin Azinë dhe Australinë janë paraqitur 1014 votues. Bedri Rexhallari