TIRANE- Përpara se të shkojë në Beograd, kryeministri I Shqipërisë Edi Rama duhet të ndalet në Luginën e Preshevës e të bisedojë me shqiptarët atje. Është kjo deklarata e Jonuz Musliut, ish-kreu i UÇPMB-së, aktualisht kryetar i Kuvendit të Bujanocit, bërë mbrëmë në emisionin "Airport" nga Erjona Rusi. Sipas tij Rama duhet të njihet me shqetësimet dhe problemet e shqiptarëve atje përpara se të bisedojë me zyrtarët serbë.
"Rruga që do të lëvizë Kryeministri Rama në drejtim të Beogradit lëviz përmes Bujanovcit, se duhet së paku të vijnë në Bujanoc dhe pastaj duhet të lëvizin në drejtim të Beogradit. Duhet të ulet dhe bisedojë me liderë shqiptarë për hallet dhe problemet për kërkesë të shqiptarëve. Edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është se Kryeministri duhet t'i mbrojë të gjithë shqiptarët", tha Musliu.
Ndërkaq i pyetur se si e vlerëson vendimin e pak ditëve më parë të qeverisë shqiptare për lëvrimin e një fondi në ndihmë të maternitetit të Preshevës, Musliu u përgjigj:
"Lugina e Preshevës nuk është për lëmoshë. Është koha, momenti që të dilet ndihmë, kur Serbi për shembull ndau 24 milionë euro për serbët e Kosovës. Ne i kemi dy qeveri", u shpreh kreu i Kuvendit të Bujanocit.
Gjatë emisionit kryetar i Kuvendit të Bujanocit përsëriti edhe një herë deklaratën e bërë pak ditë më parë se aneksimi i Krimesë nga Rusia, lehtëson procesin e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, duke kujtuar verdiktin e dhënë nga populli shqiptar i Luginës me anë të referendumit të marsit 1992.
"Është momenti që para faktorit ndërkombëtar ta ngrijmë zërin dhe të themi se ai popull është i pakënaqur. Është koha që t'i bashkohet Kosovës. Edhe një mesazh në drejtim edhe të Tiranës, edhe të Prishtinës se populli shqiptar është në dhunë, është në terror, është pa të drejta", tha Musliu.
Sipas Musliut situata aktualisht në Luginë është tejet e vështirë, ku spastrimi etnik serb vazhdon tashmë me forma më moderne duke i zhdukur shqiptaret nga lista e gjendjes civile.