TIRANE- Është rrëzuar sot në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, drafti i kreut të PR-së, Fatmir Mediut, për pr/ligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 "Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore" të ndryshuar".
Në thelb të tij ky propozim kërkonte kthimin fizik pa kompensim financiar të tokave të ish-pronarëve në zonën e bregdetit të Jugut.
Kundër këtij propozimi ka votuar mazhoranca, ndërsa deputeti i opozitës, Dashamir Tahiri, i PDIU-së, ka abstenuar pasi drafti ishte vetëm për bregdetin e Himarës dhe këtë ai e cilësoi si "strategji greke".
"Jo se jam kundër pronarëve por se amendamenti ishte vetëm për bregdetin e Himarës. Ligji duhet të ishte për tokat në bregdet që nga Konispoli deri në Velipojë. Mu duk pak si strategji greke, ne po kërkojmë pronat për Çamërinë, jo më për Shqipërinë. Abstenova sepse amendamenti ishte vetëm për një zonë, duhet të ishte gjithëpërfshirëse", tha Dashamir Tahiri pas komisionit.
Më herët gjatë prezantimit në komision, kreu republikan Mediu, tha se tokat në bregdet duhet të kthehen tek pronarët e ligjshëm, në një kohë që shteti të ndalë abuzimin me dhenien e tokës me 1 euro për të huajt.
Kthimi dhe kompensimi i pronave private është një proces i cili prej vitesh nuk ka marrë një zgjidhje. Porn ë një kohë që fatura e kompensimit po rritet dita ditës, Qeveria ka parashikuar që këtë vit një shtesë në fondet e kompensimit financiar për ish-pronarët.