Pas mbledhjes informale të qeverisë në qytetin bregdetar të Vlorës, kryeministri Rama dhe kabineti i tij sot zhvillojnë takime me drejtorët e drejtorive rajonale dhe përfaqësues të së majtës në këtë qark. Ndërsa pritet që po gjatë ditës së sotme, kryeministri Rama të vizitojë një biznes fason në qytetin e Vlorës.
Kabineti qeveritar udhëtoi dje drejt jugut për të bërë analizën e gjashtëmujorit të qeverisjes dhe të realizimit të prioriteteve. Pas mesdite, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, ministrat janë mbledhur në Hotel 'Partner", mbledhje e cila ka vijuar deri pas mesnate.
Mësohet se në fokus të këtij takimi informal të ketë qenë vendosja e rendit dhe krimit të policisë te qytetari, ku kreu i qeverisë shprehu vlerësime për përkushtimin e uniformave blu në luftën ndaj krimit, duke e lidhur këtë me sukseset më të fundit të policisë që solli arrestimin e vrasësve me pagesë dhe porositësve të atentateve me tritol. Por nuk është lënë jashtë vëmendjes dhe aksioni i arrestimeve më të fundit të rekrutuesve dhe financuesve të "xhihadit" për të dërguar shqiptarët të luftojnë në Siri, duke shkatërruar celulat që ishin ngritur në vendin tonë.
Pjesë e analizës së gjashtëmujorit qeverisës janë bërë dhe aksionet e prishjes së ndërtimeve pa leje, reforma në arsim, shëndetësi, drejtësi, situata ekonomike dhe pesha e borxheve të lëna nga qeverisja e Berishës. Është analizuar gjithashtu, mundësia e ringritjes së vendit dhe plotësimi i detyrave të lëna nga ana e Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor të këtij viti.