Heshtje në agjencinë për kundërzbulim financiar për skandalin lidhur me autostradën Demir Kapi- Smokvicë. Askush nuk u përgjigjet thirrjeve telefonike në këtë Institucion. Televizioni Alsat M, gjatë tërë orarit të punës u orvat që të kontaktojë me të punësuarit në këtë institucion, por edhe krahas asaj që kërkuam në telefonin e tyre zyrtar fiks, askush nuk përgjigjej në thirrje. Nuk ka përgjigje as nga përfaqësia e kompanisë greke 'Aktor' në Maqedoni. Ata thanë se drejtori është në udhëtim zyrtar dhe kthehet pas tre javësh, kur edhe na rekomanduan të kërkojmë qëndrim lidhur skandalin për të cilin opozita pohon se kjo kompani është e përfshirë.
'Heshtja e çuditshme e institucioneve në Maqedoni për derdhjen e miliona eurove para në dorë tek shtetasit e Republikës së Greqisë, konfirmoi se pas projektit fshihet një skandal shumë i madh. Drejtoria për kundërzbulim financiar në të cilën është hapur dhe ndaluar hetimi për rastin, me heshtje i konfirmoi informatat skandaloze që shpijnë deri në larjen e parave në Maqedoni përmes shtetasve të R. Greqisë', tha Petre Shilegov, LSDM.
VMRO-DPMNE-ja edhe nëpërmjet kumtesave dhe deklaratave të ministrave, porosit LSDM-në që nëse posedon prova, të njëjtat ti dorëzojë në prokurori.
'LSDM dëshiron në një farë mënyre ta defokusojë opinionin nga projektet e suksesshme që po realizohen. Asnjëherë deri më tani në historinë e RM-së nuk janë ndërtuar tri autostrada, që është investim prej rreth 800 milion eurove, nëse kanë ndonjë informacion, institucionet do ti ndërmarrin masat përkatëse', u shpreh Mile Janakievski, Ministër i transportit dhe lidhjeve.
Opozita kërkon që për rastin të prononcohet edhe kryeministri Nikolla Gruevski, pasi që sikurse pohojnë në mënyrë të dyshimtë janë derdhur 3.5 milion euro, kurse paratë janë nxjerrë me skemën përcaktuar që më parë. Njëra nga bankat e kreditorëve të projektit BERZH-i, thotë se për këtë fazë nuk kanë ndonjë koment. Natasha Stojanovska