TIRANE - Nisja e projekteve të subvencionimit të bujqësisë, shihet nga ekspertët e këtij sektori si mundësia e vetme për daljen nga prapambetja. Sipas presidentit të Këshillit të Agrobiznesit në vendin tonë, Enver Ferizaj, programet e mbështetjes financiare që janë zbatuar deri tani nuk kanë dhënë impakt të madh tek fermerët, edhe pse ky sektor është më i rëndësishmi i ekonomisë, duke mbajtur edhe për vitin 2013 peshën kryesore në eksportet shqiptare.
"Bujqësisë nuk po i jepet ajo që kërkon dhe ajo që meriton. Paketa mbështetëse tani ka filluar pasi i është dashur shumë kohë ndoshta është edhe pak me vonesë për vetë faktin se ndryshimi i miratimit të ligjeve dhe i buxhetit për bujqësinë ndoshta ka qenë disi i vonuar. Ka një rritje të buxhetit të cilën e kemi vlerësuar dfhe mbështetur dhe themi se kjo rritje e buxhetit do të ndikojë pozitivisht, por akoma nuk jemi në ato parametra të cilat kërkon bujqesia e cila kërkon më tepër fonde për tu mbështetur." tha Ferizaj.
I rizgjedhur në krye të KASH-it, Ferizaj prezanton dhe nismën më të re të sipërmarrjeve të agrobiznesit që është panairi i produkteve bio shqiptare, që do të hapet së shpejti. "Jam konfirmuar për një mandat të tretë nga bordi i KASHI-it. Do të organizohet me Bashkinë e Tiranës, dhe ministrimë e bujqësisë një panair 'Prodho dhe bli shqip'. Kemi kompani nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Tregu shqiptar është zhvilluar, dhe nuk jemi më në 3-4 milionë por jemi drejt 10 milionë konsumatorë." përfundoi fjalën e tij presidenti i KASH-it.
Sipas Ferizajt, produktet bujqësore shqiptare duhet të mbulojnë tregun e rajonit dhe konsumatorin shqiptar që përbën 10 mln banorë në këtë hapësirë. Ekspertët e konsiderojnë si sektorin më me perspektivë atë të bujqësisë dhe agropërpunimit, zhvillimi i të cilit do të shpërtonte ekonominë nga kriza.