VLORE- Çelet me rastin e festave të marsit Galeria e Arteve pamore e qytetit të Vlorës, pas një periudhe mungese disa vjeçare. Galeria është hapur më 7 mars dhe ndodhet në Pallatin e Kulturës "Labëria", nga ku qytetarët e Vlorës do të shijojnë punimet në piktura të artistëve e piktorëve të njohur vlonjat si dhe të artistëve të rinj.
Drejtori i Turizmit dhe Kulturës për Bashkinë e Vlorës Ilir Metaj, shprehu kënaqësinë e tij për çeljen e kësaj ekspozite në këto ambjente pas një mungese të gjatë por dhe për përkimin e këtij eventi në festat e 7-8 Marsit.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika, tha se ky event ka një rëndësi të veçantë sepse i shërben shfaqjes së kulturës qytetase.
"Ky event është jo vetëm një risi për qytetin e Vlorës por edhe një detyrim për piktorët e rinj të qytetit ,si dhe një aset të shtuar në qytetin tonë." -ka thënë Gjika.
Kjo galeri e cila u çel në ambjenetet e Pallatit të Kulturës "Labëria", ka pasur vizitorë të shumtë në ditën e mësuesit dhe do të qëndrojë e hapur për një javë. Për artdashësit vlonjat, në këtë galeri janë prezantuar dhjetëra piktura , ku në pjesën më të madhe pasqyrohej bukuria e bregdetit të Vlorës, por dhe piktura që risillnin me anë të penelit nostalgji për të shkuarën apo imazhe të gruas labe.