TIRANE- Shkatërrohen 680 pajisje dhe makineri të lojërave të fatit, të sekuestruara gjatë tre muajve të fundit. Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të fatit ka bërë të mundur shkatërrimin e këtyre pajisjeve, me udhëzim të ministrit të Financave. Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave, konfiskimi i makinerive të lojërave të fatit u bë pasi nuk dispononin nipt, nuk ishin të pajisur me lejen e ushtrimit të aktivitetit dhe certifikatën përkatëse.
Duke vënë theksin në vijimin e kontrolleve, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit njofton se "gjatë aksioneve të vazhdueshme, në muajt janar-shkurt 2014 janë konfiskuar 325 makineri dhe pajisje të sektorit të lojërave të fatit. Vetëm në muajt nëntor-dhjetor 2013, kjo Njësi konfiskoi mbi 1500 pajisje, përafërsisht me të njëjtën sasi konfiskimesh të realizuara gjatë gjithë vitit 2012. Në këto 4 muaj të marrë së bashku janë vendosur gjithsej 60 gjoba me vlerë 300 mijë dollarë".
Nisur nga fakton se "informaliteti me mospagesat e taksave kishte përfshirë pjesën dërrmuese të sektorit", ministria e Financave thekson se në bashkëpunim me institucionet e linjës do të vijojë aksionin.
Ndërkaq, Ministria e Financave është duke hartuar një paketë të re ligjore, e cila do të kufizojë ekspansionin e këtij aktiviteti.