Partitë me qëndrime të ndryshme rreth unifikimit të votave shqiptare

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Unifikimi i votës shqiptare me qëllim të shtimit të mandateve të deputetëve shqiptarë në Kuvend vazhdon të mbetet prioritet për BDI-në, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Partia e Ahmetit sërish bëri thirrje që ti bashkohen partitë e vogla dhe shqiptarët të dalin me sa më pak lista deputetësh, për të parandaluar mundësinë e djegies së votave, duke marrë parasysh sistemin proporcional të ndarjes së mandateve në 6 njësi zgjedhore.

"Do të nevojitet një mandat shumë i fuqishëm, dhe është shumë e rëndësishme që vota e shqiptarëve të transformohet në një mandat i cili pastaj do të jetë një mbrojtës i mirë i pozicionit të shqiptarëve. Sipas teorisë politike, votat do të transformohen në mandat vetëm nëse ata grumbullohen tek fituesi, ose tek ai i cili ka simpati më të madhe te qytetarët, andaj edhe ishte apeli i përgjithshëm që qytetarët duhet të faktorizojnë dhe valorizojnë votën e tyre", deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

RDK-ja e Rufi Osmanit thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim me partitë shqiptare, por siç thonë ata, disponimin e tyre opozitarë e lufton PDSH-ja e cila nuk lejon bashkimin e opozitës shqiptare.

"Është kjo politikë përçarëse dhe donkishotiane e PDSH-së ndaj opozitës që mundëson fitoren e BDI-së përkundër dështimeve të mëdha politike dhe kombëtare të kësaj strukture politike të korruptuar në të gjitha nivelet. Ju rekomandojmë që jaranin tuaj politike me VMRO-në ta bëni publike me listat e përbashkëta të deputetëve sepse vetëm ashtu mund të jeni pjesë e qeverisë së ardhshme të vendit", tha Naxhi Xhelili, RDK.

Akuzat e tilla të RDK-së kanë të bëjnë kryesisht me deklaratën e djeshme të Imer Aliut nga PDSH-ja, i cili kreun e RDK-së Rufi Osmani e quajti të birin e Cërvenkovskit.

"Kësaj beteje ju bashkëngjit edhe djali i vogël i Branko Cërvenkovskit, Rufi Osmani i cili të mos harrojmë i mori votat e LSDM-së, në Gostivar gjatë zgjedhjeve lokale. Partia e tij dhe ajo e Ali Ahmetit që po bëhen gati për koalicion, njërit i foli nënvetëdija në një emision ku tha se ka qenë edhe në Beograd kurse tjetri me instruksione prej Strumicë kërkojnë që të na dalin në mejdan. Ne do të dalim dhe sigurisht do t'i mundim keqas këtë herë", u shpreh dje Imer Aliu, PDSH.

BDI-ja do të ndalet vetëm në apele për bashkëpunim për të parë disponimin e partive të tjera shqiptare, para se të kalojnë në oferta konkrete për negociata. Ndërkohë RDK-ja tashmë ka bërë një ofertë publike për të gjitha partitë shqiptare, për bashkëpunim në njësinë zgjedhore 1, 2 dhe 5. Për njësinë zgjedhore numër 6 Rufi Osmani do të del me listë të veten, duke mbyllur derën për bashkëpunim me partitë e tjera. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form