Putin: Në Kiev është kryer grusht-shtet

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Ndryshimi i pushtetit në Ukrainë është i paligjshëm dhe i dhunshëm. Kështu theksoi sot presidenti rus Vladimir Putin, në një dalje të parë publike, që nga fillimi i krizës. Ai vuri në dukje se Viktor Janukoviçi është ende president legjitim i Ukrainës, duke gjykuar se në Kiev ka pasur grusht shtet antikushtetues. Putin theksoi se e kupton nevojën e popullit të Ukrainës për ndryshime, por shtoi se kjo duhet të ndodhë në mënyrë legjitime dhe kushtetuese. I pyetur nëse është i shqetësuar për një ndërhyrje të mundshme ushtarake në Ukrainë, Putin u përgjigj:

"Kjo mua nuk më shqetëson, sepse ne nuk duam luftë kundër popullit ukrainas. Dëgjomëni me kujdes. Dua të më kuptoni. Nëse marrim një vendim të tillë, do ta bëjmë për të mbrojtur popullin e Ukrainës. Në qoftë se dikush përpiqet të gjuajë me armë drejt grave dhe fëmijëve, trupat tona do të qëndrojnë para tyre", u shpreh Vladimir Putin, President i Rusisë.

Sa i përket fatit të Krimesë, ku për 30 mars është planifikuar referendum për statusin e mëtejshëm, presidenti rus tha:

"Duhet të kemi kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shikoni për shembull njerëzit në Kosovë që lejohen të votojnë, atëherë pse duhet t'ua mohojmë këtë popullsisë së Krimesë. Por ne nuk do të provokojmë që njerëzit në Krime të kërkojnë pavarësi apo të bashkohet me Rusinë. Gjithçka varet nga vullneti i popullit. Ne nuk do të nxitim asgjë. Vet populli mund ta përcaktojë të ardhmen e vet. Kjo iu lejua edhe shqiptarëve të Kosovës, por edhe në vende të tjera në botë. E drejta e vetëvendosjes është e pakontestueshme dhe përcaktohet në Kartën e OKB-së", tha Vladimir Putin, President i Rusisë.

Putin theksoi se prania ushtarake e Rusisë në Krime është e ligjshme dhe se grupet e armatosura që morën pushtetin në Krime, janë forca lokale të vetëmbrojtjes, e jo trupa ruse. Ai vlerësoi se Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç nuk ka të ardhme politike, por se Moska e kishte patjetër t'i jepte atij strehim, sepse grupet radikale në Ukrainë do ta vrisnin. Ai akuzoi se një pjesë e protestuesve në sheshin Majdan ishin grupe që kanë qenë trajnuar në Ukrainë, Poloni dhe vende të tjera. Në lidhje me furnizimet e gazit rus, Putin shtoi se është e mundur të kthehen çmimet e vjetra të larta, sepse Ukraina nuk e respekton marrëveshjen për pagesën e borxheve. Petar Bllazhevski

Share This Video


Download

  
Report form