A1 Report - Basha: Protesta e furgonave jo politike, shkak gjëndja e rënduar

Report TV 2015-08-21

Views 0

TIRANE- Partia Demokratike, ka denoncuar situatën e rëndë ekonomike që po kalon vendi, duke akuzuar qeverinë si, shkaktaren kryesore të kësaj gjendjeje.

Duke iu referuar protestës së djeshme të drejtuesve të furgonave 8+1, kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se nuk ishte e politizuar por shqiptarët po hidhen në protestë për shkak të një goditje të intensifikuar të themeleve të ekonomisë, të tregut, të lirive, të sigurisë juridike, të shtetit ligjor.

"Nuk mund dhe duhet të ketë asnjë alibi se këtu paska një faktor politizimi të tejskajshëm apo se opozita po fërkon duart që shqiptarët po hidhen në protestë. Është e kundërta. Shqiptarët po hidhen në protestë për shkak të një goditje të intensifikuar të themeleve të ekonomisë, të tregut, të lirive, të sigurisë juridike, të shtetit ligjor."- tha Basha.

Kryetari i opozitës Lulzim Basha duke folur për situatën e financave të vendit në "Forumin për Lirinë Ekonomike", tha se vendi po shkon drejt përkeqësimit të ekonomisë. Për Bashën gjendja e ka një emër, që është keqqeverisja PS LSI.

"Kjo është situata ku ndodhemi sa i përket zhbërjes së çdo efekti pozitiv të politikave liberale të ndjekura në 8 vite, një antireformë e vërtetë. Këto janë rezultatet e antireformës. Ky është impakti i zhbërjes së standardeve të arritura, nuk kemi avancim në asnjë standard as në raport me integrimin europian, por kemi një zhbërje dhe një rënie të çdo standardi të arritur deri tani. Kemi pasiguri totale dhe nuk kemi asnjë garanci që qeverisja është në gjendje të lexojë këtë dhe t'i përgjigjet me impulset e nevojshme që ka detyrë ti japë ekonomisë. "- tha Basha.

Gjithashtu kreu demokrat, ka sqaruar edhe njëherë se opozita nuk është kundër reformave, por kundështon mënyrën se si po kryen ato dhe më konkretisht, hedhja në rrugë e dhjetëra familjeve.

Sipas Bashës "përkeqësimi i indikatorëve të ekonomisë, rendit, sigurisë po shoqërohet me një rritje të frymës së protestës nga kategori të ndryshme shoqërore që nuk kanë dhe nuk ndjekin asnjë axhendë politike, por axhendën e tyre personale, familjare, dhe mbrojnë interesat e tyre si grupe interesi"

Share This Video


Download

  
Report form