Ka vazhduar edhe sot reagimi procedural i deputeti të PDSH-së Bekim Fazliu, rreth mospërdorimit të gjuhës shqipe. Fazliu duke kërkuar një orë pauzë ka kritikuar ashpër deputetët dhe funksionarët e lartë të BDI-së për mos angazhim të zgjidhjes së problemit me gjuhën shqipe. Sipas tij funksionarët e lartë të partisë shqiptare në pushtet ndjehen mjaftë të kënaqur kur komunikojnë në gjuhën maqedonase. Ky intervenim i Fazliut shkaktoi reagimin e deputetes së BDI-së Ermira Mehmeti, e cila gjatë fjalimit të deputetit Fazliu nga vendi bërtiste 'Sushiko', për të përkujtuar Fazliun rreth takimit që ditë më parë sipas disa portaleve u realizua mes drejtorit të policisë sekrete Sasho Mijallkov dhe liderit të PDSH-së Menduh Thaçi në restorantin 'Sushiko'.
"Këta të BDI-së meqë janë të angazhuar shumë me tema që s'kanë të bëjnë fare me shqiptarët, aq shumë larg kanë shkuar saqë edhe funksionarët e tyre kur komunikojnë mes vete kënaqen kur flasin maqedonisht. Gjithë deputetët mezi presin të flasin maqedonisht, kënaqen, ekzaltohen të gjithë. Paramendoni edhe ministrat e tyre kur takohen ndërmjet veti flasin maqedonisht. Tahiri me Fatmir Besimin takohen dhe nuk përshëndeten shqip, tungjatjeta, por Tahiri i thot Fatmirit, 'zdravo Fatmir, kako si, kako e Nikolla e kështu me radhë. Turp i botës jeni bë", tha Bekim Fazliu, PDSH.
"Sushiko...', thonte Ermira Mehmeti, BDI.
"O e di, e keni fundin, ju ka ardh fundi, mjerë ju ku do shkoni. Si çdo send ka fund dhe tash është fundi i BDI-së", u shpreh Bekim Fazliu, PDSH.
Ndryshe edhe sot kreu i Kuvendit Veljanoski u ballafaqua me problemin e kuorumit, andaj u detyrua disa herë t'ju bëj thirrje deputetëve që të hyjnë në sallë. Opozita edhe sot përmes mospjesëmarrjes në votim shprehte mospajtimin e saj rreth miratimit të ligjeve me procedurë të shkurtuar. Bedri Rexhallari