Me vendim të Qeverisë, tokat bujqësore të cilat janë në pronë të shtetit transferohen në tokë ndërtimore dhe të njëjtat i jepen për menaxhim komunave. Ministri i pushtetit lokal Tahir Hani i cili njoftoi për këtë vendim kryetaren e Tetovës Teuta Arifin, për kushte që janë parashikuar në vendim, që komuna të mund të ndërtojë partneritet publiko privat. Arifi nga ana tjetër tha se Komuna e Tetovës menjëherë do të kërkojë investitorë që do të jenë të gatshëm të fillojnë bizneset e tyre në këto toka.
"Biseduam edhe sa i përket menaxhimit me tokën ndërtimore që po ashtu është një prej sfidave që i kanë komunat, dhe duhet pasur parasysh faktin se edhe komuna e Tetovës e ka nën menaxhim tokën ndërtimore, ndërkohë ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet dhe aktivitetet që ti rrisim kapacitetet tona me qëllim që ky menaxhim të jetë i suksesshëm", u shpreh Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.
"Komuna këtë partneritet private publik mundë ta realizojë me subjektet të cilat duhet të pranojnë kushtet që investimi të fillojë minimum në afat prej dy vitesh dhe të përfundojë në afat dhjetë vjeçar, por investimi të mos jetë më i vogël se dhjetë milion euro dhe garancia bankare për realizimin e këtij partneriteti publiko privat të jetë dhjetë deri në 15 për qind", tha Tahir Hani - ministër i pushtetit lokal.
Hani njoftoi gjithashtu se një vendim tjetër i Qeverisë është që të gjitha objektet sportive, palestrat, stadiumet e qyteteve i jep gjithashtu në pronësi të Komunave. Komuna e Tetovës me këtë rast pritet të menaxhojë me katër objekte sportive, ndërsa me ata objekte që kohë më parë janë dhënë nën koncesion, do të bëhet marrëveshje për ndërprerje të kontratës. Bashkim Sulejmani