TIRANE- Komisioni Hetimor për lëvizjet në Policinë e Shtetit në 4 muajt e fundit ka zhvilluar mbledhjen e dytë, duke diskutuar për planin paraprak hetimor dhe rregulloren e Kuvendit. E ndërsa rregulloja u miratua me konsensus, debate pati edhe për planin hetimor. Për socialistët, nuk duhet që të përfshihet në hetim SHISH dhe Kontrolli i Brendshëm. Por demokratët argumentuan se objekti hetimor i një komisioni është i pakufizuar.
Në komision pati edhe batuta nga deputetët socialistë në drejtim të kryetarit të komisionit Arben Ristani, duke i thënë se "mazhoranca e majtë nuk do të pengojë opozitën në këtë komision, siç demokratët kanë bërë kur ishin në pushtet.
Ndërkaq, Stërkaj iu drejtua Ristanit "ti Ristan kur kam arrestuar djalin e Enver Hoxhës ishe në shtëpinë e tij, dhe ti ke qenë duke e mbrojtur. Pra i ke shërbyer Enverit atëherë dhe tani po i shërben Berishës, Enverit të dytë. Por harron që ne nuk jemi në KQZ."
Megjithatë nuk u sqarua ende se kur do të mblidhet seanca e radhës, ndërkohë komisioni e përfundon punën e vet në datën 6 prill.