Kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski vazhdon të mbetet i pakapshëm për Televizionin ALSAT-M, për të komentuar përgjigjem me shkrim të disa ditëve më parë, ku thuhej se gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare në nivel të qytetit, dhe që komunat që duhet ta respektojnë ligjin, janë vetëm ajo e Çairit, Shuto Orizares dhe ajo e Sarajit. Këtë përgjigje, një ditë më parë, e denoncoi Ministria e Pushtetit Lokal përmes një reagimi, duke theksuar se Qyteti i Shkupit po e keqinterpreton Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas kësaj ministrie, Ligji është i qartë dhe obligon Qytetin e Shkupit të përdorë zyrtarisht gjuhën e komunitetit mbi 20% që jeton në territorin e Shkupit, në këtë rast të komunitetit shqiptar.
"Ministria e Pushtetit Lokal vlerëson se qyteti i Shkupit bën keqinterpretim dhe shkelje të ligjit për pushtet lokal, i cili në mënyrë të prerë e zyrtarizon përdorimin e gjuhës shqipe në nivel të qytetit të Shkupi , që do të thotë se përdorimi i gjuhës shqipe në punën e institucioneve në nivel të qytetit është obligim ligjor dhe çdo mospërdorim është shkelje ligjore",- thuhet në reagimin e Ministrisë së Pushtetit Lokal.
Sipas BDI-së, ndryshimi i tillë i qëndrimit të qytetit të Shkupit për dygjuhësinë nuk është asgjë tjetër përveçse një përgjigje e VMRO DPMNE-së ndaj kërcënimit të tyre për bojkot të zgjedhjeve presidenciale, nëse nuk pranohet kandidati konsensual. Ndërkohë PDSH-ja dorëzoi kërkesë zyrtare tek qyteti i Shkupit, që për përdorimin e gjuhës shqipe të debatohet gjatë seancës së radhës të Këshillit të Qytetit. Këshilltari i PDSH-së në Qytetin e Shkupit Idriz Orana në kërkesën e tij, mes tjerash, ngriti dyshime se kufizimi i përdorimit të gjuhës shqipe është pjesë e ndonjë marrëveshjeje të mundshme mes partnerëve qeveritarë, për pikë politike. Valmir Kuçi