GOSTIVAR- Prokuroria komunale në Gostivar së bashku me policinë po punojnë intensivisht për zbardhjen e rastit të rreth 60 nxënësve të Shkollës së Mesme Ekonomike në këtë qytet të cilët pretendojnë të jenë helmuar nga një gaz i hedhur në shkollën e tyre. Në këtë proces është përfshirë edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore në Shkup, i cili po heton nëse bëhet fjalë ose jo për helmim. Nga Prokuroria thonë se me të dhëna me konkrete mund të dalin gjatë ditës së nesërme. Lidhur me rastin, sot u prononcua edhe kryeministri Gruevski i cili mbrëmë së bashku ministren e Brendshme Jankullovska vizitoi nxënësit në klinikën e Toksikologjisë.
Dyshohet se kjo mund të jetë një shaka nxënësish për t'u larguar me herët nga shkolla në ditën e Shën Valentinit.
Sipas vetë nxënësve, dyshohet se njëri prej tyre ka hedhur në ambientet e shkollës një gaz pa erë dhe pa ngjyrë për t'u larguar nga shkolla, por këtë version nuk ka dashur ta komentojë zv.ministri i Brendshëm i Maqedonisë.
Sipas korrespondentes tonë nga Maqedonia Zërijeta Jajaga, nxënësit dhe mësuesit paraqesin një gjendje më të mirë shëndetësore, ndërsa 12 prej tyre të cilët shfaqën probleme me stomakut dhe djegie sysh po kurohen në klinikën e Shkupit. Sipas mjekëve të Shkupit gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.
Ndërkohë nga klinika e Toksikologjisë në Gostivar thonë të gjithë nxënësit e pranuar mbrëmë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe shumica prej tyre janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Drejtori Çibishev tha se nga analizat e deritanishme nuk është konstatuar helmim i nxënësve, por sipas tij fjalën e fundit do të thonë analizat e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
"Me kënaqësi mund të ju njoftoj se të gjithë 14 pacientët e hospitalizuar tek ne, ndjehen mirë, janë në gjendje të mirë shëndetësore, të gjitha analizat klinike dhe laboratorike që i bëmë janë negative, presim vetëm rezultate nga analizat toksikologjike për të cilat nevojitet më tepër kohë. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me profesorin Aleksej Duma, ato bëhen në Institutin e mjekësisë ligjore, ata punojnë intensivisht, megjithatë nuk mund të më tregojë se kur do të jenë gati. Dua të them se nuk kemi kurrfarë dëshmie se bëhet fjalë për ndonjë helmim, ose bëhet fjalë për helmim me gaz", deklaroi Andon Çibishev, drejtor i klinikës së Toksikologjisë.
Sipas korrespondentes Zërijeta Jajaga, shkollat në Maqedoni funksionojnë në dy turne, një turn me nxënës maqedonas dhe një turn me nxënës shqiptare. Ndërsa mësohet se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, kur në shkollë ka pasur kryesisht nxënës shqiptarë.