A1 Report - Nusja i vrau nënën me vaj në vesh Hakmerret duke i vrarë vëllanë

Report TV 2015-08-21

Views 29

DIBËR- Djali ka marrë hakun e nënës së tij të vrarë një vit më parë. Uran Skuka, 46 vjeç, është vrasësi i 36-vjeçarit Basir Nikolli, kunati i tij, i cili u qëllua dje me armë zjarri afër shtëpisë në Luzni të Dibrës.

Ngjarja ka si motiv hakmarrjen, pasi 67-vjeçarja Naime Skuka, nëna e autorit të krimit Uran Skuka është vrarë nga gruaja e këtij të fundit, në bashkëpunim edhe me kunatën. Vrasja u krye me vaj të nxehtë në vesh dhe ndodhi fiks një vit më parë.

Skuka është vetëdorëzuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në komisariatin e policisë me një automatik, që dyshohet se është arma me të cilën ai kreu vrasjen.

Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta nga Spitali Rajonal i Peshkopisë. Sapo është dorëzuar në polici, Uran Skuka ka deklaruar se ka qenë i dehur dhe pa vetëdije. Më pas ai ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në Spitalin Rajonal të Peshkopisë, ku ndodhet në mbikqyrjen e mjekëve dhe nën shoqërinë e forcave të policisë.

Uran Skuka është bashkëshorti i Hike Skukës, e cila së bashku me kunatën e saj, Xhemile Skuka, një vit më parë vranë vjehrrën e tyre, (nëna e Urim Skukës) Naime Skuka, ngjarje kjo e ndodhur në fshatin Hotesh të Dibrës.

Uran Skuka është vëllai i madh i familjes Skuka. Edhe dy vëllezërit e tjerë të tij, Edmond dhe Bashkim Skuka janë shoqëruar në polici.

Sipas policisë po hetohen të tre vëllezërit sepse dyshohet se Urani, i vetëdorëzuar, thjesht ka pranuar krimin, të cilin mund të mos e ketë kryer ai.

Xhemile dhe Hike Skuka pritet që më 19 Shkurt të këtij viti të njihen me vendimin e gjykatës për akuzën me të cilën përballen. Prokuroria e Dibrës ka kërkuar për to, jo më pak se 18 vite burg.

Viktima Basir Nikolli, vëllai i Hike Skukës, ishte baba i tre fëmijëve.

Share This Video


Download

  
Report form