A1 Report - Shisnin viza italiane, pranga djalit të Ibrahim Rugovës e 9 të tjerëve

Report TV 2015-08-21

Views 8

PRISHTINË-- Djali i ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, deputet i Parlamentit të Kosovës është arrestuar sot nga EULEX-i si i dyshuar për shitje vizash nga ambasada e Italisë.

Në orët e para të mëngjesit të sotëm forcat policore të EULEX-it kanë bastisur shtëpinë e Ibrahim Rugovës në lagjen "Velania" të Prishtinës. Përveç djalit të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukës, Eulexi ka arrestuar edhe disa persona të tjerë të dyshuar për krime të organizuar.

Mediat kosovare shkruajnë se tetë vetura të misionit të BE-së për sundim të ligjit janë parë të parkuara para shtëpisë në lagjen "Velania", ndërsa forca të shumta të kësaj njësie, të maskuara bastisën aty.

Ndaj Ukë Rugovës, EULEX-i ka firmosur një urdhër ndalimi për 48 orë. Aktualisht ai ndodhet në banesën e tij në "Velani".

Burime brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se Policia e EULEX-it përveç Ukë Rugovës, ka arrestuar edhe 7 persona të tjerë dhe se bëhet fjalë për shitblerje vizash. Mes të arrestuarve flitet dhe për një zyrtar të Ambasadës italiane në Prishtinë, F.P.

Ukë Rugova drejton subjektin politik me emrin "Lista Ibrahim Rugova" e cila është pjesë e koalicionit qeverisës që drejtohet nga Hashim Thaçi.

ORA 19:07 JA EMRAT E TE ARRESTUARVE BASHKE ME RUGOVEN
Dhjetë persona janë arrestuar nga policia e EULEX-it për disa vepra të ndryshme penale. Në mesin e të arrestuarve është edhe djali i vogël i ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, Ukë Rugova.

Të arrestuarit janë: Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florjan Petani, Edison Idrizaj, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Azad Beqiraj, Hamza Beqiri.

Burime të Kosovapress thonë se djali i ish presidentit Rugova dyshohet të jetë i përfshirë në shit-blerjen e vizave në ambasadën italiane.

NJOFTIMI I EULEX PER ARRESTIMET E SOTME:
Zyra për informim e EULEX-it përmes një komunikate për media ka njoftuar se deri më tani janë arrestuar dhjetë persona. Ndërsa sipas tyre ende janë duke vazhduar bastisjet e disa pronave.

"Sot, herët në mëngjes, një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) udhëhoqi një operacion të arrestimit dhe të bastisjes kundër dhjetë (10) të pandehurve për të cilët pohohet se janë të përfshirë në një grup të krimit të organizuar i dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, përfshirë (1) Krim të organizuar (në kundërshtim me nenin 283 të Kodit Penal të Kosovës 'KPK'); (2) Ushtrim ndikimi (në kundërshtim me nenin 431 KPK); dhe (3) Mashtrim, kundër ambasadës italiane në Prishtinë (në kundërshtim me nenin 335 'KPK'). PSRK dhe ambasada italiane në Prishtinë janë duke punuar në bashkëpunim të ngushtë dhe reciprok në këto hetime që po vazhdojnë. Operacioni i sotëm është hetim i përbashkët ndërmjet Policisë Kufitare të Kosovës dhe EULEX-it, nën ombrellën e PSRK-së", thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Share This Video


Download

  
Report form