TIRANE- A1Report publikon pamjet e kamerës së sigurisë së një prej karburanteve të grabitura, nga grupi i arrestuar më 3 shkurt 2014, prej shërbimeve të Komisariatit numër 1 të Policisë së Tiranës.
Pamjet e videos së siguruar tregojnë se grupi ishte tejet i dhunshëm dhe i rrezikshëm gjatë realizimit të grabitjeve.
Në fillim në video shfaqet një person që po furnizonin automjetin e tij me karburant pastaj nga automjeti dalin dhe tre persona të tjerë që kapin punjonjësin që po furnizonte automjetin me karburant dhe i drejtohen dhomës ku ndodhej dhe një punjonjës tjetër.
Nën kërcënimin e armës dhe goditjeve ndaj punjonjësve të karburantit, grabitësit arritën të vidhnin vlera monetare.
Shefi i komisariatit numër 1 të policisë së Tiranës Artion Duka, tha se të arrestuarit Rigels Halmusaj, Aleksandër Daci, Kristi Koleci, Ndue Deshaj, vëllezerit Fredi dhe Bashkim Mellunga, si dhe i kërkuari Gentian Lika akuzohen për grabitjet e ndodhura:
Në 16 nëntor 2013, të një pike karburanti në qytetin e Laçit; 13 janar të një tjetër pike karburanti në Laç, në 15 janar të një karburanti në Burrel, në 17 janar të një pike karburanti në vendin e quajtur Qendër-Gramsh në Lushnjë, në 24 janar të një karburanti në Bërzhitë, Tiranë si edhe të një tjetër pike karburanti në Vlorë.
Policia e kodoi operacionin për arrestimin e tyre "Gjahtarët e Natës" për shkak se grupi realizonte grabitjet kryesisht në orët e vona të natës.