CAPE TOWN- 4.1 milion dollarë është pasuria që ish presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela i ka lënë familjes, stafit dhe ANC- shtëpisë së tij politike, në bazë të testamentit të firmosur prej tij.
Ndarja e kësaj pasurie në bazë të testamentit, është bërë sot.
Testamenti i ish-presidentit Mandela u lexua në prani të familjarëve të tij, në fondacionin që mban emrin e të ndjerit, gjatë ditës së Hënë.
Në testament, gruas së tij të tretë Graca Machel i jepet gjysma e shtëpisë ku jetonte Mandela, në bazë të ligjit të martesës në Afrikën e Jugut, por ajo mund të kërkojë dhe disa asete të tjera, ku përfshihen edhe pronat në Mozambik, megjithëse ende nuk ka pasur një kërkesë zyrtare.
Secili prej fëmijëve të Mandelës mori 300 mijë dollarë, ndërkohë që shtëpia në Johannesburg ku kaloi shumicën e kohës së tij pas lirimit nga burgu do të bëhet shtëpia e fëmijëve të djalit të tij të vdekur, Makgatho.
Ish-presidenti afrikan nuk harroi të përfshinte në testamentin e tij as stafin që kujdesej për të, duke dhënë 50 mijë dollarë për secilin prej tyre. Ai gjithashtu dhuroi shuma të ndryshme parash për institucionet dhe shkolla të ndryshme në të cilat kishte studiuar.
Nelson Mandela, i cili ishte dhe presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut u nda nga jeta më 5 dhjetor të vitit 2013.