Ministria e Brendshme vazhdon të mos jep informata lidhur me sulmet ndaj banorëve shqiptarë në fshatin Llokë afër Sarajit. Asnjë prononcim publik nga zëdhënësit e policisë që nga incidenti të premten mbrëma. E vetmja informatë që e dhanë gjatë ditës së djeshme ishte që 14 të rinj janë ndaluar në bisedë informative në stacion policor, pas çka janë lënë të lirë. As në buletinin e sotëm ditor policia nuk jep asnjë detaj rreth incidentit. Natën e incidentit, edhe banorët që ishin viktima të sulmit akuzuan policinë për mos kryerjen me përpikëri të detyrës së tyre.
"As polici nuk ka këtu, të vjen të shohë se çfarë është puna. Ata nesër do të nisen edhe në shtëpi të na vinë. Këtu kanë gjuajtur me gurë, kanë dëmtuar veturat, te porta kanë gjuajtur me gurë. Nëse policia nuk merr masa këtu, atëherë ne do të marrim masa", u shpreh një banor.
"I bëj apel Gruevskit ose le ta udhëheq këtë Qeveri si duhet, sepse ne nuk kemi kohë ti bartim fëmijët me vetura çdo ditë, ose le të na paguan shpenzimet sepse ne nuk guxojmë të lëshojmë nipat tanë të shkojnë në shkollë", tha një banor.
Dhjetëra persona për të cilët thuhet se i përkasin nacionalitetit maqedonas kanë sulmuar shtëpitë e shqiptarëve në fshatin Llokë në dalje të Shkupit, të premten mbrëma. Ata pa ndonjë pretekst kanë filluar të gjuajnë shtëpitë e të tyre me gurë dhe gjësende të tjera, me ç'rast kanë thyer xhamat e disa makinave, duke shkaktuar dëme financiare. Benjamin Arifi