Llatasi fton maqedonasit në mobilizim kundër gjuhës shqipe

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Paraqitje skandaloze e kryeredaktorit të Sitellit Dragan Pavlloviq-Llatas në lajmet e mbrëmshme të orës 19:00. Llatasi, jo vetëm që iu bën thirrje hapur maqedonasve të votojnë për VMRO DPMNE-në, por shkon edhe më tej duke thënë se Gruevski duhet të votohet që të formojë Qeveri i vetëm dhe pa kushtëzimet e partive shqiptare. Sipas Llatasit, nëse VMRO-ja merr 62 deputetë, do të pengojë kërkesën e BDI-së për përdorimin e gjuhës shqipe në të gjithë territorin e shtetit.

"Gruevski ka për detyrë që të marrë 62 deputetë ose më shumë, sepse në këtë rast BDI-ja nuk mund ta kushtëzojë VMRO-në dhe votuesit maqedonas, se nëse nuk pranohet dygjuhësia në tërë territorin e shtetit ata nuk do të hynë në Qeveri, ose do ta rrëzojnë Qeverinë nëse veç më është formuar. Pra, nëse duam të flemë të qetë rreth ultimatumit grek dhe dygjuhësisë në të gjithë shtetin, duhet që fituesi të marrë 62 deputetë ose më shumë, për shkak të interesave maqedonase", tha Dragan Pavlloviq-Llatas, kryeredaktor i Sitellit.

Pavarësisht monologut të tillë skandaloz të Llatasit, institucionet nuk kanë reaguar. Hesht edhe Ministria e Brendshme, e cila para një muaji ngriti ankesë ndaj raportimit të televizionit Alsat M, që sipas tyre nxit tensione dhe ndarje etnike. Edhe Agjencia për Media, apo ish Këshilli për Radiodifuzion, nuk ka reaguar ndaj këtij skandali. Një muaj më parë, edhe ky këshill thirri seancë për të diskutuar raportimin e televizionit Alsat M rreth incidenteve ndëretnike. Heshtja rrit dyshimet për përzgjedhje etnike, por edhe politike të mediave nga ana e institucioneve përkatëse. Nënkryetari i Agjencisë së Mediave Milaim Fetahu tha se gjatë ditës së nesërme do të njihet me rastin, dhe nëse është e nevojshme do të iniciojë seancë të Agjencisë për të diskutuar rreth prononcimeve të tilla gjatë lajmeve në televizionin Sitell. Për shkak të shpalljes së zgjedhjeve presidenciale, prej sot do të monitorohen të gjitha mediat në vend.

"Parashtresë mund të paraqesë çdo shikues, mund të paraqesin anëtarët e Këshillit për Radiodifuzion, edhe vetë shërbimi e ka për obligim, sepse misioni kryesor i Këshillit për Radiodifuzion është implementimi i Ligjit për media dhe shërbime audiovizuale. Monitorimi është përmanent, ka filluar prej sot", deklaroi Milaim Fetahu, nënkryetar i Agjencisë për Media.

Kanë reaguar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila iu bëri apel institucioneve të veprojnë ndaj gjuhës së urrejtjes të redaktorit të Sitellit, sic e quajtën ata.

"Pyesim nëse afërsia e Llatasit me kryeministrin Gruevski është shkak i heshtjes së institucioneve që ndjekin punën e mediave? U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve, para se gjithash Këshillit për Radiodifuzion, të marrin masa në pajtim me ligjin", thuhet në reagimin e LSDM-së.

Redaktorët Dragan Pavlloviq Llatas dhe Ivona Talevska si dhe televizioni Sitell si kompani, ishin objekt akuzash për afera financiare disa milionëshe që i lidhnin ata me Qeverinë. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form