TIRANË- Deputeti i PS-së Ben Blushi kundërshton kandidaturën e Ermir Gjinishit në postin e ambasadorit në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
"Ne jemi shtet laik ndërsa Ermir Gjinishi është i njohur si përfaqësues i një komuniteti fetar, pse ministria e Jashtme e zgjodhi?- ngriti pyetjen deputeti Blushi sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar i Politikës së Jashtme ku ministria e Jashtme prezantoi kandidatët për ambsadorë të jashtëm në Slloveni, Arabinë Suadite dhe në Serbi.
Ermir Gjinishi ka qenë sekretar i përgjithshëm tek Komuniteti Mysliman.
Në përgjigje përfaqësuesi i ministrisë së Jashtme tha se ishin vlerësuar njohuritë e mira që Gjinishi kishte mbi kulturën, gjuhën dhe traditat e Arabisë Saudite.
"Ne vlerësuam faktin që Gjinishi njeh shumë mirë kulturën dhe traditat e këtyre vendeve si dhe gjuhën. Nuk besojmë se bindjet e tij fetare e pengojnë në ushtrimin e detyrës si përfaqësues i një shteti laik."- tha përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme.
Nga ana e tij Ermir Gjinishi u shpreh " unë asnjëherë nuk kam qenë kundër shtetit laik, edhe kur jam shprehur për çështje fetare kam qenë për respektimin e tyre në kuadrin e shtetit laik dhe të drejtat e njeriut."
ISLAMI KUNDER: JANE EMERIME POLITIKE
Ministria e Jashtme propozon Pëllumb Qazimin si kandidat për ambasador në Slloveni , Ermir Gjinishi në Arabinë Sauditë dhe Ilir Boçka në Serbi.
Deputeti i PD-së Kastriot Islami thotë se kandidaturat janë politike dhe akuzon mazhorancën se nuk po zbaton ligjin për shërbimin me jashtë duke adresuar këtë akuzë edhe tek Presidenti i Republikës, tek i cili ka kërkuar të mos bëhet pjesë e shkeljes së ligjit .
"Duhet të kemi një strategji të veçantë nga ministria për reformën që po bën në shërbimet diplomatike. Emërtimet e ambasadorëve janë politike", është shprehur deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami, duke shtuar "Nishani nuk duhet të bëhet palë në këto emërime politike".
Kryetarja e komisionit Arta Dade , ka vijuar duke thënë se nuk janë shkelur kuotat e emërimeve politike por ka kërkuar përfshirjen e sa me shumë grave si ambasadore.
Dy kandidatët për ambasadorë: Pëllumb Qazimi dhe Ilir Boçka, vijnë nga fusha e diplomacisë. Qazimi ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kroaci dhe tani pritet që të mandatohet për në shtetin tjetër ballkanik, Slloveni.
Kandidati Boçka ka qenë ish-ministër i Jashtëm, si edhe ambasador në disa shtete.
Kandidati tjetër, Ermir Gjinishi ka qenë sekretar i përgjithshëm tek Komuniteti Mysliman dhe pritet që të mandatohet si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Ndërkohë dje, Komisioni i Politikës së Jashtme miratoi projektiligjin "Për ratifikimin e Traktatit për Tregëtinë e armëve".