GRAMSH- Kryeministri i vendit Edi Rama ka inspektuar sot punimet në HEC-in e Banjës, investim i "Devoll Hidropower".
"Mbështesim investimet që krijojnë vende të reja pune. Mbështesim çdo investim që respekton standardet evropiane", është shprehur Rama.
Ndërsa Drejtori Ekzekutiv i "Devoll Hidropower" ka nënvizuar se "Aktualisht janë qindra të punësuar në këtë vepër, por ky është vetëm fillimi".
Ai është shprehur se ndjehen "Të kënaqur me dialogun me qeverinë e re".
Në pellgun ujor të Devollit objekti për HEC-in e Banjës është ndërtuar midis kuotave 195 dhe 100 metra mbi nivelin e detit, në pjesën e poshtme të lumit Devoll, në afërsi të fshatit Banjë. Shtrirja e rezervuarit të ketij HEC-i arrin në fshatin Cekini, në bregun e majtë të luginës, rreth 2 km, poshtë qytezës së Gramshit.
HEC-i i Banjes është objekti energjetik më i poshtëm në Luginën e Devollit si pjesë e planit të zhvillimit që përfshin tri faza.
Objektivi kryesor i HEC-it të Banjës është rregullimi gjatë gjithë vitit i ndryshimeve të mëdha të shkarkimit të ujërave, që pritet të bëjnë dy HEC-et e mësipërm që parashikohet të ndërtohen. Në këtë mënyrë, HEC-i i Banjës pritet të ndikojë në mbrojtjen e Luginës së Poshtme të Lumit Devoll nga vërshimet e lumit sidomos gjatë "plotave" (prurjeve masive lumore të vrullshme) të stinës së dimrit.
Nisur nga fakti se ndërtimi i HEC-it të Banjës ka nisur në fund të viteve '80-të, një pjesë e ndërtimeve të bëra parashikohen të përfshihen në planin e ri të zhvillimit të koncesionit.