TIRANE- Ilir Kupa deklaron se nuk ka lidhje me grabitjen e argjendarisë në TEG. I revoltuar prapa hekurave të gjykatës Kupa kërkoi të sqaronte për median se nuk kishte kryer asnjë krim në Shqipëri, madje dhe dy armët që iu sekuestruan në momentin e arrestimit nuk do i përdorte për policinë shqiptare por atë greke, e cila thotë i kanë vrarë 3 shokët e tij pas shpine.
Ndryshe nga deklaratat në polici, Kupa mohon të ketë lidhje me grabitjen në TEG dhe deklaron se nuk ka konsumuar asnjë vepër penale në Shqipëri, përveç armëmbajtjes.
"Nuk kam lidhje me grabitjen e argjendarisë në TEG. Këtu nuk kam kryer asnjë vepër penale.Këtu kam vetëm akuzën e mbajtjes pa leje të dy armëve", tha Ilir Kupa paraditen e sotme në sallën e gjyqit, paraditen e sotme ku doli për vlerësimin e masës së arrestit.
Edhe avokati i Kupës, Lazër Sokoli thotë se nuk ka kryer asnjë krim në Shqipëri.
"Ilir Kupa është person jo me rrezikshmëri të lartë në Shqipëri. Ai akuzohet vetëm për armëmbajtje pa leje," tha ai.
ARMET I DOJA PER POLICET GREKE
I arratisuri nga burgu i Trikallasë në mars të 2013 u arrestua të shtunën me dy pistoleta dhe mes të shtënave nga policia e Tiranës.
Për dy armët e sekuestruara Kupa deklaroi se nuk do i përdorte ndaj policëve në Shqipëri, por ndaj oficerëve të Interpol Athinës, pasi autoritet e atjeshme i kishin vrarë 3 shokë pas shpine.
Te njëjtën pretendim ka mbrojtur dhe avokati i Ilir Kupës kur për gazetarët tha "armët i ka mbajtur për t'u mbrojtur nga policia greke. "Shteti shqiptar të hetojë për vrasjet e shokëve të Kupës", tha avokati Lazër Sokoli
GJYKATA: ARREST ME BURG ILIR KUPES
Ai i kërkon shtetit shqiptar të mos e ekstradojë drejt Greqisë. Ndërkohë avokati deklaroi se "nuk ka kërkesë për ekstradimin e Kupës në Greqi" dhe se masa e arrestit me burg është bërë vetëm për dy armët pa leje.
Pasi dëgjoi pretendimet e avokatit mbrojtës dhe prokurorisë, Gjykata e Tiranës dha masën e arestit.