A1 Report - Fushe-Arrez, Veliaj mbeshtet uljen e moshes se pensionit te minatoreve

Report TV 2015-08-21

Views 0

Erion Veliaj, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ka kërkuar të ulet mosha e pensioneve të minatorëve.
Në vizitën e tij inspektuese në minierën e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz, ministri ka kërkuar edhe fuqizim të marrëdhënies të sindikatave me bizneset.

Ai ka nënvizuar përpjekjet e qeverisë për të rishikuar moshën e pensionit për minatorët shqiptarë. I shoqëruar edhe nga kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Gëzim Kalaja, Veliaj vuri në dukje se një nga angazhimet e qeverisë është që ta kthejë Shqipërinë në punë, duke shtuar dialogun midis sindikatave dhe bizneseve.

"Jam këtu që ta mbështes kërkesën e z. Kalaja për uljen e moshës së pensionit të minatorëve. Kjo është një gjë jo vetëm e premtuar, por edhe e drejtë që duhet bërë. Është mënyra se si ne, jo vetëm respektojmë moshën e pensionit të atyre që kanë kaluar një pjesë të madhe të jetës në kushte të vështira pune nën tokë, por edhe një mënyrë për të hapur rrugë për punësimin e një brezi të ri në një zonë e cila nuk ka perspektiva të tjera", u shpreh Ministri Veliaj pasi inspektoi ambientet e minierës.

Sipas tij, kryeministri ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të bërë, në bashkëpunim me sindikatat, një llogaritje të efektit në skemën e sigurimeve shoqërore. "Është në ambicien tonë që përgjigjen përfundimtare, bashkë me normat se si do të respektohet kjo ulje e moshës, ta bëjmë përpara se të nisë procesi i reformës së pensioneve", tha z. Veliaj.

Nga ana e tij, kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, z. Gëzim Kalaja, deklaroi se ulja e moshës së pensionit të minatorëve duhet të jetë në qendër të vëmendjes së qeverisë. "Unë përsëris edhe njëherë kërkesën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë për uljen e moshës së pensionit të minatorëve në 55 vjeç, me 25 vjet punë, nga të cilat 12.5 vjet në nëntokë dhe 12.5 në sipërfaqe. Angazhimi dhe korrenspondenca e deritanishme tregojnë se qeveria shqiptare do të bëjë përpjekje për të realizuar uljen e moshës së pensionit të minatorëve", tha ai.

Share This Video


Download

  
Report form