Si kryesuese me Bashkimin Evropian, Greqia do të mbështesë integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, derisa këto të fundit përmbushin kushtet e nevojshme. Këto komente i bëri mbrëmë në Uashington shefi i diplomacisë greke Evangelos Venizelos, pas takimit që realizoi me sekretarin amerikan të shtetit Xhon Keri. Me këtë qëndrim të tij, Greqia edhe njëherë betonon qëndrimin e saj lidhur me kontestin e emrit që ka me Maqedoninë. Venizelos ka thënë se gjatë kryesimit me BE-në, Greqia ka për prioritet statusin e Qipros dhe krizën ekonomike.
"Ftesa për mua në Uashington, pak ditë pas fillimit të presidencës greke të BE-së, ishte një shans i shkëlqyer për të promovuar imazhin e një Greqie normale, jo të Greqisë së krizës, po të Greqisë që si anëtar institucional dhe i barabartë i BE-së, që përfaqëson tërësisht Unionin si presidencë", tha Evangelos Venizelos, ministër i jashtëm grek.
Ndërsa sekretari amerikan i shtetit Xhon Kery theksoi rendësin e bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.
"Jo vetëm që dëshirojmë të punojmë në atë, por edhe në bashkëpunimin e shkëlqyer kundër terrorizmit, Ballkani, Lindja e afërt dhe një sërë çështje tjera për të cilat kemi interes të përbashkët", u shpreh John Kerry, sekretar amerikan i shtetit.
Mediat greke gjatë raportimit të tyre rreth vizitës së Venizelos në Uashington nuk kanë përmendur fare kontestin rreth emrit, por janë përqendruar në krizën ekonomike. Bedri Rexhallari