Ka vazhduar me dyer të mbyllura procesi gjyqësor "Monstra". Para të akuzuarit të fundit Sami Luta, u prezantuan dëshmi të tjera materiale, si transkriptet e telefonatave të të akuzuarve. Në seancën e sotme dëshmuan edhe ekspertët mjeko-ligjor të cilët mbrojtën gjetjet e tyre. Mbrojtja dorëzoi një video material ku ishte filmuar Sami Luta, në pranverën e vitit 2012, për të dëshmuar se ai dhe të akuzuar të tjerë nuk korrespondojnë me përshkrimin që kanë dhënë dëshmitarët, mbi personin e armatosur që kanë takuar në Smillkovë ditën e ngjarjes.
"Si avokat vlerësoj se as Sami Luta nuk është i përfshirë në këtë ngjarje dhe këtë qëndrim do ta vërtetojmë me dëshmitë e deponuara në Prokurori, që duhet të prezantohen në ndonjë seancë të ardhshme. Nëse ka nevojë, do të propozojmë edhe dëshmitarë", deklaroi Asmir Alispahiq, avokat.
Pas shumë kërkesash, Gjykata më në fund ka pranuar që avokatët mbrojtës të shqyrtojnë veturën "Opel Omega" për të cilën Prokuroria pretendon se iu përket autorëve.
"Ende nuk kemi marrë përgjigje kur do mund ta bëjmë shqyrtimin. Presim që në ndonjë nga seancat e ardhshme, Gjykata të na thotë se kur do mund të bëjmë shqyrtimin e veturës", tha Asmir Alispahiq, avokat.
Procesi gjyqësor "Monstra" vazhdon të zvarritet në Gjykatë, pa ndonjë epilog prej 20 muajsh tashmë. Benjamin Arifi