Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kusht për mbajtjen e zgjedhjeve

alsatmtv 2015-08-21

Views 2

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti u bëri thirrje partive politike të kapërcejnë dallimet rreth një rreshti jo të plotë që lë peng, siç u shpreh ai, miratimin e Kodit zgjedhor. Edhe pse nuk bëri të ditur se për cilin rresht bëhet fjalë, Bexheti aludonte në kushtin e LSDM-së për ndarjen e partisë nga shteti, por që nga ana tjetër nuk mirëpritet nga pushteti. Ndonëse propozim drafti i Kodit zgjedhor gëzon mbështetjen e shumicës parlamentare, Bexheti tha se nuk devijojnë nga përcaktimi që ai të miratohet me konsensus të plotë.

"Ne jemi të gatshëm edhe sot të dorëzojmë ligjin në qeveri, por kishte disa obligime që dalin nga marrëveshja parimore që lidhet jo vetëm më ndryshimet dhe plotësimet e Kodit zgjedhor. Ministria e Drejtësisë i përgatiti versionet ashtu siç ranë dakord vetë partitë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë një apel publik, që t'i kapërcejnë dallimet që kanë në interpretimin e një gjysmë rreshti. Edhe pse qeveria siguron mbështetjen nga shumica parlamentare, por qasja jonë ishte që Kodi zgjedhor të miratohej me konsensus", tha Blerim Bexheti, Ministër i drejtësisë.

Përveç kësaj Ministri i drejtësisë Blerim Bexheti i cili priti sot në një takim zv/kryeministrin për çështje evropian Fatmir Besimi njoftuan edhe një sërë reformash që lidhen me pavarësinë e gjykatave, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave.

"Kjo është një porosi e fuqishme që duhet ta dërgoj Maqedonia, pavarësisht nëse bëhet fjalë për partitë politike nga pushteti apo opozita, por me rëndësi është Uniteti ynë për sa i përket integrimeve. Për reformat që flasim sot në Ministrinë e Drejtësisë nuk janë vetëm reforma për t'u shënuar në listën e detyrave apo të përmbushen tabela të caktuara në Bashkim Evropian, por janë reforma për jetë më të mirë në Maqedoni. Për një sistem më të sigurt dhe efikas gjyqësor", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Besimi në këtë kuadër paralajmëroi edhe takime me grupet parlamentare për të nxitur dialogun politik dhe zbatimin e rekomandimeve të Komisionit hetimor lidhur me ngjarjet e 24 dhjetorit. Pas ngrirjes së Dialogut në nivel të lartë me Bashkimin Evropian, për shkak të krizës politike në vend, Besimi njoftoi zhbllokim të procesit dhe mundësinë që takimi i radhës të zhvillohet muajin e ardhshëm. Megjithatë komisioneri për zgjerim Shtefan Fyle ditë më parë theksoi se Komisioni do të jetë i gatshëm të mbështes procesin reformues në kuadër të Dialogut të Nivelit të Lartë Aderues, atëherë kur do të përmbushet Marrëveshja politike e 1 marsit. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form