TIRANË - Administrata tatimore ka përmbyllur bilancin e realizimit të mbledhjes së të ardhurave për vitin që sapo lamë pas. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithëshme e Tatimeve bënë të ditur për televizionin "A1 Report" se të ardhurat për 3-mujorin e fundit të vitit 2013 janë realizuar nga kjo administratë në masën 117.9% duke thyer edhe parashikimet e planit të vjetër të ish-qeverisë "Berisha", sipas të cilave të ardhurat do të mblidheshin në masën 102.3%.
Për tre muajt e fundit të vitit 2013, administrata tatimore nisi rishikimin e të gjitha deklarimeve të mëparshme dhe bëri një reformim të sistemit të grumbullimit të të ardhurave.
Për këtë periudhë rezulton të jenë mbledhur në total 40 mld lekë më shumë, ose 8.23% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2012. Vetëm nga realizimi i të ardhurave tatimore ishin 25.5 MLD lekë më shumë, ose 9.1% më tepër se viti 2012. Po ashtu edhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore u grumbulluan 6.7% më shumë ose 917 mln lekë më shumë se viti 2012. Nga mbledhja e TVSH-së janë arkëtuar 1.4 mld lekë më shumë ose 25% më shumë se sa e njejta periudhë e vitit 2012.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, vetëm gjatë muajve të fundit të vitit të kaluar pati një kthesë pozitive në trendin e të ardhurave.