TIRANE- Sistemi bankar shqiptar nuk mund ta shmangë mbylljen e bilanceve për vitin 2013 pa humbje, kjo pas rreth 15 vjetësh bilancesh pozitive sipas standardeve mbikëqyrëse të raportimit financiar.
Shkak për këtë janë nivali i lartë i kredive bankare me probleme që për vitin 2013 kanë mbajtur nivele rekord. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme regjistruan edhe për nëntorin nivelin 24.2%.
Referuar konkluzioneve të fundit të Bankës së Shqipërisë, treguesit të kredive me probleme ishin të larta për vitin që lamë pas, po të kemi parasysh se totali i kredisë bankare gjatë këtij viti u paraqit në rënie, çka automatikisht e rrit peshën e kredive problematike në bilance.
Por sipas Shoqatës së Bankave, muaji Nëntor solli përmirësim në rezultatet financiare të bankave, megjithëse bilanci i përbashkët i 16 bankave mbetet negativ.
Humbjet për 11-mujorin ranë në vlerën e 900 milionë lekëve, nga 1.1 miliardë lekë që ishin humbjet për 10-mujorin 2013.
Por sistemi bankar në tërësinë e tij ngelet i sigurt dhe me burime të mjaftueshme për t'ju rikthyer rritjes dhe për të mbështetur me kreditim ekonominë. Treguesi më i rëndësishëm, ai i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të shtatorit ishte mjaft i lartë, në vlerën 17.8%.