Sheqerinska zbardh detaje prej takimit me Fylen

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska zbardhi detajet nga takimi Fyle-Zaev në Bruksel. Sheqerinska hodhi poshtë zërat që opozita të ketë bërë ndonjë propozim lidhur me zgjidhjen e çështjes së emrit, pasi siç u shpreh ajo, opozita është plotësisht e përjashtuar nga ky proces për të cilin nuk ka as informata bazike se në çfarë faze gjendet.

"LSDM-ja apo ndonjë parti tjetër politike përveç asaj në pushtet, nuk është e përfshirë në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit. Prandaj në bazë të kësaj ne as nuk mundemi dhe as nuk duhet të licitojmë me propozime që mund të ndikojnë tek zgjidhja. Për fat të keq në Maqedoni njerëzit e vetëm të cilët e dinë se çfarë bisedohet rreth kësaj çështjeje të ndjeshme janë personat që punojnë në rrugën e 'Ilindenit', pra kryeministri dhe personat përreth tij. Prandaj është qesharake që njerëzit që bisedojnë dhe e mbajnë të mbyllur plotësisht procesin për publikun maqedonas të na mbajnë leksione se dikush tjetër pas shpinës së tyre bisedon. Kjo është gënjeshtër..Është absolutisht e pavërtetë që hymë në detaje rreth procesit të bisedimeve sepse këtë as nuk e pret Komisioni Evropian , as nuk mund ta bëjmë, në Maqedoni nuk dëgjuam asnjë fjalë se deri ku është procesi i bisedimeve", tha Radmilla Sheqerinksa, nënkryetare e LSDM-së.

Nga ana tjetër kërkesa e liderit të LSDM-së Zoran Zaev për përfshirjen më aktive të Komisionit Evropian në zgjidhjen e çështjes së emrit por edhe proceseve të tjera në të cilat ka ngecur vendin sipas Sheqerinskës kanë për qëllim që t'i ndihmojnë vendit të dale nga qorr sokaku.

"Nëse në Qeveri pushteti vazhdon të prodhojë lajme të këqija sikurse që e bëri këtë gjatë gjithë vitit të kaluar asnjë super komisioner nuk mund të na e shpëtojë anëtarësim në BE. Këtë ne nuk mund ta presim si opozitë as nga Fyle apo dikush tjetër. Por është fakt se ne nuk na konvenon që BE të heq dorë nga Maqedonia. Ne lobuam që BE-ja të angazhohet më shumë dhe më shumë t'i ndihmojë shtetin tonë. Mendoj se kjo e nervozon Qeverinë, sepse do që Maqedoninë ta izolojë sikurse që do edhe opozita të funksionojë në izolim, prandaj janë nervoz që ne e kundërshtojmë një politikë të tillë", deklaroi Radmilla Sheqerinksa, nënkryetare e LSDM-së.

Sheqerinska po ashtu hodhi poshtë pretendimin që Komisioni Evropian të ketë ushtruar presion opozitës që të rikthehet në grupin e punës për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit hetimor. Madje ajo shtoi se Brukseli është i shqetësuar me atë që ndodh në Komunën Qendër sikurse dhe gjendjen lidhur me gjyqësorin, lirinë e mediave dhe ngërçin politik. Nënkryetarja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska shtoi se Maqedonia nuk mund të jetë optimiste për agjendën evropiane në gjashtë muajt e ardhshëm, pasi konkluzionet që miratoi Këshilli i BE-së në dhjetor nuk lënë hapësirë për një gjë të tillë. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form