TIRANE- Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë që transferoi dosjen "Gjika" në Gjykatën e Tiranës.
Nga vendimi i siguruar nga A1Report, për kreun e bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika në prokurori rezultojnë 68 kallëzime penale në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtare.
Vendimi nga Gjykata e Lartë për Shpëtim Gjikën është dhënë më 19 dhjetor të vitit të shkuar, ku organi i akuzës ka listuar 19 dëshmitarë të cilët duhet të pyeten në gjykim.
Gjika akuzohet nga Prokuroria për falsifikim dokumentesh zyrtare, ku më të njëjtën akuzë është edhe Eleni Dardhaj punonjëse ne Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë bashkisë Vlorë.
Në total numri i personave në hetim nga prokuroria e Vlorës në lidhje me dosjen "Gjika" janë tetë persona, ku aktualisht janë zhvilluar dy senaca gjyqësore në Gjykatën e shkallës së parë Vlorës dhe më pas është marrë vendimi për të transferuar këtë gjykim në Tiranë.
Objekti i dosjes penale të gjykuar nga Gjykata e Lartë ishte transferim i çështjes penale nr. 1532 të datës 21 shtator 2013 në ngarkim të të pandehurve Shpëtim Gjika, Eleni Dardhaj, Gezim Feta, Gentjan Sherifaj, Blerdi Liçaj, Mustafa Tartari, Artan Ferati, Aleks Ahmataj, të akuzuar respektivisht për kryerjen e veprave të "Falsifikimit të dokumentave" kryer në bashkëpunim më shumë se një here.