Drejtuesit e Sindikatës së Policisë akuzuan MPB-në se në mënyrë të padrejtë ka bërë sistematizim të vendeve të punës për pjesëtarët e saj. Kryetari i Sindikatës Goce Dellçev tha se policëve në mënyrë të padrejtë u janë ulur pagat mujore, kurse pjesëtarëve të këtij dikasteri që ushtrojnë poste udhëheqëse u janë rritur pikët, përkatësisht pagat mujore edhe ashtu të larta. Dellçev tha se me këtë sistematizim janë prekur inspektorët e lartë policor, inspektorët e pavarur, policia kufitare, sektori për komunikim dhe udhëheqësit e ekipeve patrulluese.
"Kemi të punësuar në MPB të cilët kanë të përfunduar shkollimin e lartë të shkallës së 7 në Fakultetin për Siguri në Idrizovë, të punësuarit e tillë kanë konkurruar në vende të caktuara të punës, në pozita më të larta se sa policë të thjeshtë, ata nuk u pranuan dhe të njëjtët përsëri mbetën si policë të thjesht, derisa persona të cilët janë jokompetent për vende të caktuara të punës janë emëruar në vende të punës të cilat nuk u takojnë sipas rregullores së MPB-së", tha Goce Dellçev, Sindikata e Pavarur e Policisë.
Kryetari i Sindikatës akuzoi se MPB po bënë presion të vazhdueshëm mbi anëtarët e kësaj sindikate.
"Kishte më tepër arsye por njëra nga arsyet kryesore është frika. Ata menduan se nëse vijnë këtu dhe kapen nga kamerat tuaja do të kenë pasoja n[ë vendet e tyre të punës dhe menduan se në mënyrë shtesë do të kenë shtypje nga persona të caktuar të MPB-së", u shpreh Goce Dellçev, Sindikata e Pavarur e Policisë.
Akuzat e Sindikatës i hodhi poshtë si të pa baza zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski. Ai tha se me sistematizimin e ri, MPB-ja ka realizuar një balancim të pagave mujore dhe assesi nuk mund të bëhet fjalë për pakënaqësi.
"Sistematizimi i ri dhe lista e re e pagave mujore është përgatitur në bashkëpunim me Sindikatën Maqedonase të Policisë e cila është edhe sindikatë reprezentativ dhe që përfaqëson të drejtat e pjesës më të madhe të të punësuarve në MPB. Ky sindikatë ka qenë i kyçur që nga fillimi në këtë proces kështu që nuk mund të bëhet fjalë për pakënaqësi por mund të bëhet fjalë për spekulime eventuale të lëshuara nga persona të sindikatës joreprezentative", theksoi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Policisë, Goce Dellçev me këtë rast u bëri thirrje të gjithë pjesëtarëve të MPB-së që të anëtarësohen në këtë Sindikatë pasi sipas tij vetëm të bashkuar do t'ia dalin të realizojnë kërkesat e tyre. Valmir Kuçi