Ka zgjatur vetëm dy ditë arratisja e Shpëtim Tahos, të dënuarit për vjedhje me dhunë, i cili theu lejen e burgut të Vaqarrit.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve Shpëtim Tahos i ishte dhënë leje shpërblyese për 4 ditë për shkak se kishte nënën sëmurë.
Leja e parashikuar niste më datë 27.12.2013 përfundonte më 31.12.2013, ora 12:00.Në orarin e pritshëm, kur i dënuari Taho nuk është paraqitur në IEVP Vaqarr, menjëherë janë vënë në lëvizje strukturat e policisë së shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për kapjen e tij.
Shpëtim Taho u vu sot në mëngjes në pranga në një hotel pranë kilometrit të tretë në autostradën Tiranë- Vorë. Sipas burimeve ai ishte në shoqërinë e një femre. Operacioni i arrestimit u krye nga shërbimet e Komisariatit Nr. 3.