A1 Report - Deputetet e PD vizitojne ne burg Mziun, Bumçi:Po luajne me zjarrin

Report TV 2015-08-21

Views 3

TIRANË - Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë vizituar sot kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu në burgun 302 në kryeqytet.

"Ne dëshirojmë të shprehim vullnetin tonë që në fillim për të respektuar shtetin ligjor dhe për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë. Por në të njëjtën kohë, ne shprehim shqetësimin tonë se që në krye të herës, se ky proces ka treguar dëshmi për ndërhyrje politike, për të manipuluar drejtësinë", deklaroi aty deputeti Aldo Bumçi. .

Sipas tij shkeljet flagrante të ligjit në këtë rast kanë të bëjnë me faktin se masa e sigurisë për burgim me arrest është dhënë në mungesë, kur Mziu ishte në zyrën e tij. "Normalisht duhej të thirrej në gjykatë kur trajtohej çështja. Pra ky proces ka nisur me një shkelje të rëndë të ligjit sepse personi nuk ka qënë i thirrur në gjykatë kur u vendos masa e sigurisë. Kjo është shkelja e parë e rëndë", u shpreh Bumçi.

Së dyti, sipas po Bumçit, kemi vendosjen e një mase të skajshme. "Arrest me burg është një masë ekstreme. Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat, fakti që Mziu është i zgjedhur për të dytën herë radhazi nga qytetarët e Bashkisë Kamëz, por edhe nga rrethana të tjera, pra kemi të bëjmë me një masë aspak proporcionale", analizoi Bumçi.

Fakti i tretë, për raste të tjera të ngjashme për kryetar bashkish apo kryetar komunash kemi masa të tjera sigurie si hetim në gjendje të lirë. Për z Mziu kemi një masë tjetër. Pse ligji nuk zbatohet me të njëjtin standard ?! pse kemi dy standarde ?! Dy standarde ka vetëm ky ka vullnet për ndërhyrje politike.

Por më e rëndë se këto shkelje flagrante të ligjit është fushata e paprecedentë, denigruese që u ndërmor kundër familjes së z Mziu, kundër bashkëshortes së tij. Në të njëjtën kohë kur në media jepej lajmi që kryetari i Bashkisë Kamëz është arrestuar me një masë të dhënë në mungesë, në të njëjtën kohë mediat dhe opinioni publik informohej që ka një kallëzim penal ndaj bashkëshortes. Një lajm i pavërtetë. Në media u informua se është gjetur flori në argjendarinë e zonjës Mziu, një lajm tjetër i rremë. Në media u tha që është gjetur një vulë e KZAZ-së së Kamzës, një e pavërtetë tjetër.

Pyetja është e thjeshtë; pse u ndërmor kjo fushatë denigruese që donte të manipulonte opinionin publik e të linçonte një familje?! Kjo na kujton kohët e errëta të diktaturës kur ndërmerrej një fushatë denigruese kundër një familjeje, në mungesë të respektit të çdo ligji dhe morali. Pra e ngjashme me kohët më të errëta të Shqipërisë.

"Partia Demokratike është e vendosur të respektojë shtetin ligjor dhe do të kërkojë që të gjithë ata që kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin të dalin para drejtësisë. Drejtësia mund të vonojë por drejtësia do të vendoset. Ata që kanë orkestruar dhe frymëzuar këtë fushatë të paprecedentë, që do të shkatërrojë një familje, individë e të manipulojë opinionin publik, po luajnë me zjarrin", deklaroi Aldo Bumçi.

Share This Video


Download

  
Report form