Partia demokratike Shqiptare përmes kreut të saj Menduh Thaçi, e cilëson vitin që lamë pas, si vit dështimesh, vit plot raste të rënda diskriminimesh për shqiptarët. Megjithatë, siç theksoi Thaçi, shqiptarët do të jenë kryelartë në vitin 2014, në përpjekje për një jetë më të mirë.
"Një dëshirë dhe shpresë që viti i ardhshëm të jetë vit më i mirë për ne shqiptarët dhe gjithë qytetarët e tjerë. Të gjithë kanë dëshira dhe shpresa, por ne dallojmë, sepse përveç dëshirës dhe shpresës, ne edhe punojmë që të bëhet më mirë. Është moment shumë i rëndësishëm për ne shqiptarët që jetojmë në Maqedoni që të mos shkojmë drejt fenomeneve ekstreme siç janë dëshpërimi dhe dorëzimi. Nuk e kemi ndërmend as si parti e as si popull të dorëzohemi para këtyre të këqijave dhe para këtij viti shumë të keq që kaluam", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Për vitin që vjen, Thaçi u shpreh se ai do të jetë një vit që do të garantojë sukses për të gjithë ne.
"Mendoj se vitet që vijnë do të jenë vite të mundimshme po që do të na garantojnë një sukses të gjithë neve së bashku. Ju falënderoj dhe ju dëshiroj të gjithëve shumë shëndet, dhe pastaj gjëra të tjera të lumtura", u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Këto komente kreu i partisë më të madhe opozitare shqiptare PDSH-së, Menduh Thaçi i bëri me rastin e fjalimit dhe urimit të festave të fund vitit. Gyltene Rexhallari