Disa banorë të Komunës së Çairit do të padisin Ngrohtoren 'Shkup Veri', pasi kjo e fundit u shpërndanë faturat për pagesë, familjeve të cilët një kohë të gjatë nuk i shfrytëzojnë shërbimet e tyre. Muzafer Haruni një banor nga Çairi thotë se ka lëshuar kërkesë në ngrohtoren 'Shkup Veri' që të ç'kyçet nga rrjeti i ngrohjes, por nga atje nuk kanë dërguar ekipet e tyre që të kryejnë ç'kyçjen. Haruni sikurse edhe disa qytetarë tjerë, me vetiniciativë është ç'kyçur nga rrjeti i ngrohjes, ndërsa nga ai moment vazhdimisht i kanë ardhur edhe faturat për pagesë.
"Kjo vertikalë asnjëherë nuk ka pasur ngrohje qendrore. Asnjëherë nuk kanë ngrohur radiatorët. 12 vite kemi paguar, plus me kamatë kur i kemi vonuar faturat, kemi paguar edhe kamatë. Ju vijnë kamatë mbi kamatë . Ua ndalin pensionet. Plaku për shembull e ka atë pension, e këta ia marrin nga xhirollogaria pa u ngrohur. Un i kam ç'kyçur të gjithë radiatorët. Lirisht hajdeni tek unë në banesë shihni, i kam të ç'kyçura e këta ende lëshojnë fatura", tha Muzafer Haruni, qytetar i Çairit.
Nga ana tjetër avokati Nasef Raufi thotë se ngrohtorja 'Shkup Veri' në mënyrë të paligjshme kërkon nga qytetarët që të paguajnë faturat, për një shërbim të cilin nuk e kanë shfrytëzuar.
"Është evidente që keqpërdorët monopoli, në këtë rast toplifikacioni. Sepse në rastin konkret paditësi edhe nuk e shfrytëzon bile ngrohjen prej tyre. Ky keqpërdorim del edhe aty ku kërkohet prej qytetarëve që të sigurojnë nënshkrime nga e tërë ndërtesa. Kjo nuk është në bazë të kushtetutës apo në bazë ligjore", u shpreh Naser Raufi, avokat.
Drejtori i ngrohtores 'Shkup Veri' Igor Popovski tha për ALSAT M se me ndryshimet e reja ligjore, secili individ mund të ç'kyçet nga ngrohtorja pa pëlqim të fqinjëve por faturat e mbetura gjithsesi do të duhet të paguhen.
"Komisioni rregullator për energjetikë më 2 gusht të këtij viti solli një rregullore për ndryshim dhe plotësim të rregullores për furnizim me energji ngrohëse. Prej atëherë është fshirë ligji 53 ku në nenin 1 kërkohej pajtim nga të gjithë shfrytëzuesit. Prej atëherë ne lejojmë ç'kyçje individuale", tha Igor Popovski, drejtor i Ngrohtores "Shkup --Veri".
Poposki tha se shfrytëzuesi në fjalë mund të ketë bërë kërkesë për ç'kyçje, në periudhën para se të ndryshohej rregullorja. Ndërsa deri atëherë ç'kyçja individuale nuk ka mund të bëhet pa mbledhjen e firmave nga të gjithë banuesit në ndërtesë. Ferikan Iljazi