Kriza politike në Ukrainë ka hyrë në javën e tretë. Të paktën 200 mijë protestues, të organizuar nga opozita u mblodhën në qendër të Kievit, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Viktor Janukoviç dhe të kryeministrit Mikola Azarov. Mbrëmë vonë senatori amerikan Xhon MekKejn u takua me përfaqësuesit e opozitës dhe mbështetësit e tyre dhe i drejtoi apel Qeverisë që të respektojnë të drejtën demokratike të protestës paqësore.
"E konfirmojmë angazhimin tonë për zgjidhjen paqësore të krizës. Ukraina është perëndimore, komb evropian dhe askush nuk dëshiron dhunë. Këto janë protesta paqësore dhe e dënojmë ashpër çfarëdo dhune kundër tyre. Kjo është e drejtë e tyre demokratike", deklaroi Xhon MekKejn, senator amerikan.
Mbështetësit e qeverisë, ndërkohë, kanë organizuar një tubim rival në Sheshin e Evropës. Senatorë amerikanë të premten shpallën një rezolutë me të cilën iu bëjnë thirrje SHBA-ve që të shqyrtojnë mundësinë e sanksioneve në rast të veprimeve të mëtejshme të dhunshme kundër demonstruesve në Ukrainë. Bashkimi Evropian ka njoftuar se ka pezulluar bisedimet me Ukrainën, në lidhje me një marrëveshje të tregtisë dhe bashkëpunimit, duke thënë se argumentet e dhëna nga Kievi "nuk kanë baza në realitet". Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fuele, ka shkruar në Twitter, se i ka thënë zëvendëskryeministrit të parë të Ukrainës, Serhiy Arbuzov, javën e kaluar, se diskutimet e mëtejshme për marrëveshjen varen nga angazhimi i qartë i Qeverisë në Kiev për ta nënshkruar atë. Petar Bllazhevski