TIRANË - Fakulteti i Ekonomisë së Universitetit të Tiranës ka organizuar një ceremoni diplomimi, ku mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama. "Merita kryesore është juaja. Ju kërkoj ndjesë për ndonjë mangësi që është verifikuar këto vite, detyrim për ata që do vinë më pas", ka përmendur rektori i UT, Dhori Kule.
Ai ka falenderuar USAID, Universitetin e Nebraskës, për masterat amerikanë dhe përvojën amerikane në Fakultetin e Ekonimik. "Më tepër se gjysma e stafit pedagogjik ka pasur fatin të trajnohet në SHBA për mbi 3 muaj secili. Por dhe përvojë gjermane nga Universiteti i Bambergut", theksoi Kule, duke shtuar se "ne kemi përkthyer dhe botuar tekstet më të mira botërore që i duhen Ekonomikut".
Ndërsa Kryeministri Edi Rama pasi evidentoi para të rinjve se "jetoni në një vend ku vështirë të ruash ëndrrat dhe shpresat", ka shtuar se në fjalën e tij se "ju mund të bëni më shumë për vendin se sa vendi për ju".
Rama e quajti sfidën ekonomike para së cilës gjendet Shqipëria si sfidë adaptive e llojit të veçantë, që duhet ta çojmë përpara së bashku, duke e menaxhuar krizën jo si fatkeqësi që na ka rënë kokë, por si mundësi për të nxjerrë nga vetja më të mirën" dhe "duke e bërë profesionistin më të rëndësishëm se kryeministri".