TIRANE- Dy nga politikanët dhe ish-deputetët në Kuvend, Ilir Gjoni, ish- deputet i Partisë Socialiste si dhe Leonard Demi, ish-deputet i Partisë Demokratike janë dy kandidatët më të rinj për t'u bërë ambasadorë të Shqipërisë.
Të dy këto kandidatura, të propozuara nga Ministria e Jashtme janë thirur sot në një seancë dëgjimore në Kuvend, në Komisionin e Jashtëm, ku do jetë një seancë prezantimi të tyre e më pas do votohen.
Vetë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati bëri prezantimin e tyre.
Ministri tha se si Demi si Gjoni kanë qenë pjesë e politikës së jashtme dhe janw me integritet politik. "Janë dy njerëz që kanë dëshmuar integritet politik. Kanë arritur të ngrihen mbi dasite politike."- nënvizoi ai.
Më pas Bushati do të mbajë një deklaratë për shtyp tek kryesia e Kuvendit.
Ish-deputeti Ilir Gjoni do të propozohet për ambasador i Shqipërisë në Zvicër, ku do zëvendësojë Mehemet Elezin, diplomat i përfolur si i emëruar poltikisht në këtë post, ndërsa Demi do të propozohet pranë misionit të NATO-s, ku pritet të zëvendësojë Artur Kukon.
Të dy këta emra kanë qenë anëtarë të Komisionit të Sigurisë në Kuvend, ku Demi ka qenë kryetari i këtij komisioni, ndërsa Gjoni nënkryetar. Duket se me propozimin e Demit, mazhoranca ka lënë mënjanë mëritë e vjetra kur ka qenë në opozitë, duke marrë parasysh se Demi vjen nga radhët e deputetëve të djathtë. Gjatë tetorit me propozim të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati kreu i shtetit ka bërë edhe lirimet e para nga detyra për disa ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme, ku ndërmjet tyre edhe liruar edhe ambasadori ynë në Zvicër.