TIRANË - Data 25 nëntor 2013 ka shënuar 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Petro Marko, i cili është përkujtuar në një ceremoni të veçantë në ambjentet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.
Studiues të letrave shqiptare, të afërm, dashamirës të veprës së poetit të mirënjohur dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro janë mbledhur për të përkujtuar Markon dhe veprën e tij.
Poeti i njohur shqiptar, Petro Marko është përkujtuar në 100-vjetorin e lindjes së tij në ambientet e Bibliotekës Kombëtare. Shkrimtari dhe poeti i madh me origjinë nga Himara është shquar gjithnjë për kontributin e tij jo vetëm letrar, por edhe patriotik.
Të mbledhur për të përkujtuar Markon dhe veprën e tij kanë qenë emra mjaft të njohur të letërsisë, por edhe të fushave të ndryshme, duke përfshirë edhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.
E bija e poetit të ndjerë, Adriana Marko ka rrëfyer mes kujtimeve dhe mëllëngjimit për jetën e të atit jo vetëm si poet e atdhetar, por mbi të gjitha si baba dhe njeri dhe si një figurë të paharruar.
Gjatë ceremonisë gjithashtu është çelur një ekspozitë e veçantë me veprat e Petro Markos, duke përfshirë botimet e vjetra, por edhe ribotimet e viteve të fundit.