Rasti me kastravecët kontestues që nga Maqedonia ishin eksportuar në Kroaci dhe më pas ishin kthyer prapa, është i izoluar dhe nga ky rast nuk duhet të bëhet dramë. Kjo për shkak se nuk do të ketë pasoja të dëmshme mbi importin e produkteve maqedonase në Kroaci. Kështu deklaroi sot në Shkup ministri kroat i Ekonomisë Ivan Vërdoljak.
"Jo, njerëz. Ne doemos duhet të bëhemi seriozë dhe rastet individuale nuk mund t'i konsiderojmë si qëndrim të vendit ose tendenca në politikë ose në industri. Nëse ekziston ndonjë incident, për të cilin inspektimet do të vërejnë se nuk është në pajtim me disa standarde të caktuara -- kjo korrigjohet. Por, kjo nuk guxon të jetë porosi për gjithë industrinë, e as për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve', tha Ivan Vërdoljak, ministër i Ekonomisë i Kroacisë.
Vërdoljak shtoi se Kroacia tani doemos duhet të respektojë standarde më të larta sesa para hyrjes në BE, por kjo nuk ka pasoja mbi importin e produkteve nga Maqedonia. Eksporti i kastravecëve kontestues në Kroaci ditëve të fundit fitoi dimension politik dhe ishte mejdan për grindje ndërmjet pushtetit dhe opozitës. Konstatimi nga takimi i dy ministrave të ekonomisë është se dy vendet duhet të punojnë në përforcimin e bashkëpunimit tregtar.
"Dy vendet jemi vërtetë të vogla dhe me potencial të vogël për plasimin e produkteve tona në shtetet e mëdha. Për këtë shkak na duhet të bashkohemi dhe bashkërisht të kërkojmë tregje të treta apo tregje të reja. Në këtë mënyrë duhet të kërkojmë partner strategjik të cilët do të na ndihmojnë", tha Valon Saraçini, ministër i Ekonomisë.
Ministrat u morrën vesh sot që të hapen zyra në të dyja shtetet për mbështetjen e ndërmarrjeve, si dhe të organizohen forume-biznesi. Por, përveç kësaj, u paralajmërua edhe mundësia për linja të drejtpërdrejta ajrore ndërmjet Maqedonisë dhe Kroacisë që do të kontribuojnë për zhvillimin e turizmit në të dyja shtetet. Natasha Stojanovska