Zëdhënësi i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Christian Chartier, në një lidhje me Skype për emisionin "Airport" ka konfirmuar se armët kimike të Sirisë mund të shkatërrohen në det mbi një strukturë offshore.
Pas refuzimit të Shqipërisë, Belgjikës dhe Norvegjisë për të ndërmarrë këtë operacion, Chartier deklaroi se plani "B" i asgjesimit të armëve kimike mbi det, është një opsion i mundshëm.
Gjetja e një "planit B" për asgjësimin e armëve kimike siriane pas refuzimit të Shqipërisë u trajtua sot në mbrëmje në emisioni Airport të gazetares Erjona Rusi.
Në studion e gazetares ishin të pranishëm dhe Roland Bimo, diplomat, Endri Xhafo, gazetar, Ervin Qafmolla përfaqësues i AKIP dhe Sevin Serjani nga Aleanca Kundër Lëndëve Helmuese.
Por emisioni ka dalë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, pasi në një komunikim që ka bërë gazetarja Erjona Rusi, nga studio me Christian Chartier, zëdhënësi i ONAK, Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike, konfirmon lajmin e dhënë nga agjencia Reuters dy ditë më parë.
Sipas Reuters, asgjësimi i këtyre armëve mund të bëhet në një strukturë offshore (në det), por duke shtuar një detaj mjaft të rëndësishëm, se kjo alternative ka qenë në tryeze prej kohësh tashmë dhe mbetet një opsion i mundshëm deri sa të merret një vendim përfundimtar. Chartier ka refuzuar të bëjë komente mbi vendimin e Shqipërisë. "Nuk bëjmë komente për vendimet e shteteve sovrane"-ka thënë ai.