105 vjet nga Kongresi i Manastirit, ruajtja e gjuhës prioritet

alsatmtv 2015-08-21

Views 3

Sot në mënyrë zyrtare dhe me një sërë manifestimesh, shqiptarët kanë shënuar Ditën e alfabetit shqip. Për herë të parë, pas 105 vjet prej kur edhe u mbajt Kongresi i alfabetit shqip, në Manastir këtë datë po e nderojnë edhe zyrtarë nga Shqipëria dhe Kosova, ministrja e kulturës së Shqipërisë Mirela Kumbaro dhe sekretari shtetëror në ministrin e kulturës në Kosovë. Profesori universitar Havzi Mustafa ka përshëndetur këtë gjest të zyrtarëve shqiptarë por thekson se kjo datë duhet të nderohet në nivel më të lartë dhe nga gjithë shqiptarët kudo që jetojnë pasi pikërisht kjo ngjarje i ka bashkuar shqiptarët. Sipas tij është koha që gjuha shqipe të zyrtarizohet. Abetarja e përbashkët është vetëm një pikënisje në këtë drejtim ndërsa nevojitet edhe unifikimi i plan programeve për gjuhën shqipe, historinë dhe lëndët tjera që janë specifike për arsimin shqip në Maqedoni. Ai bën thirrje për mbrojtjen e gjuhës shqipe në veçanti në librat shkollor.

"Unë mendoj se tani ka ardhur koha e ndërgjegjësimit për shkak se ne jemi aspirant për tu inkuadruar në bashkësinë e madhe evropiane dhe duhet të mendojmë dhe të gjejmë mekanizma si ta mbrojmë gjuhën tonë amtare nga ky globalizëm që ekziston. Mendimi im është i prerë nuk ka tjetër mekanizëm përveç zyrtarizmit të gjuhës shqipe edhe në futjen e sistemit shkollor dhe institutit të trashëgimisë kulturore, janë këto mekanizma të cilët do të mund ta mbrojnë gjuhën tonë nga gjuhët e mëdha botërore", tha Havzi Mustafa, profesor universitar.

Dita e alfabetit shqip u shënua me një sërë manifestimesh ndërsa manifestimi kryesor u mbajt në Manastir në Muzeun e Alfabetit. Drejtoria e Muzeut me mbështetjen e Ministrisë së kulturës organizoi edhe akademi solemne për nder të kësaj dite. Mesazhe urimi me rastin e kësaj dite kanë dërguar presidenti i vendit, kryeministri, kryetari i parlamentit dhe shumë personalitete tjera të jetës politike e shoqërore. Gjyltene Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form