Besimi: Nevijitet konsenzus i brendshëm për emrin

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi vlerëson se mënyra e vetme që Maqedonia të bëjë hapa përpara në procesin e euro-integrimeve është të punojnë njëkohësisht në procesin e reformave por edhe rreth çështjes së emrit. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Besimi sqaron se korniza që rekomandoi Komisioni Evropian që Maqedonisë t'i mundësohet çelja e kapitujve 23 dhe 24 të bisedimeve me BE-në dhe zgjidhja e emrit në fazën e hershme, flet për dëshirën e Unionit që të përshihet në këtë proces por kjo sipas tij, nuk paraqet garanci që shtetet anëtare në dhjetor t'i japin dritë jeshile për bisedimet.

"Komisioni Evropian po bëhet pro-aktiv në këtë çështje, megjithatë ky hap që ndërmerr KE-ja nuk është i mjaftueshëm, pasi duhet të vendosin shtetet anëtare të BE-së. Prandaj, aktiviteti diplomatik duhet të jetë intensiv gjatë kësaj periudhe, t'i prekë të gjitha shtetet anëtare në mënyrë të veçantë. T'i tregojmë argumentet tona, gatishmërinë tonë, sinqeritetin për zgjidhjen e emrit. Ne kërkojmë një angazhim më të madh nga ata që të ndihmojnë procesin, të vendoset një dialog më intensiv të nivelit më të lartë dhe në bazë të një agjende kohore të harmonizuar me agjendën evropiane Maqedonia të mund të tregojë progres për sa i përket kësaj çështjeje. Në këtë mënyrë palët do të obligoheshin, fillimisht do të përforcohet besimi i ndërsjellë, më mirë do t'i kapërcenim dallimet që kemi dhe zgjidhja do të ishte me e afërt, respektivisht shanset për zgjidhjen do të ishin më të mëdha se sa janë tani në këtë fazë, megjithatë edhe në këtë fazë ka hapësirë që Maqedonia dhe Greqia të tregojnë progres", u shpreh Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Megjithatë sipas zv/kryeministrit Besimi, është e domosdoshme arritja e konsensusit rreth çështjes së emrit brenda në shtet. Sipas tij nuk ka fare rëndësi forma se si do arrihej kjo, por arritja e konceptit të mirëkuptimit, dëshirës dhe përgjegjësisë midis faktorëve politikë në vend. Teksa në parlament po vijon procedura për miratimin e buxhetit të vitit 2014, Besimi theksoi se shpreson që mos të përsëriten ngjarjet e vitit të kaluar të cilat ndikuan në ngecjen e reformave dhe proceseve integruese.

"Maqedonia është nën skaner, çdo lëvizje e jona vlerësohet nga ana e shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht në një situatë kur ne në periudhën e kaluar krijuam një ambient, i cili detyroi disa shtete të caktuara anëtare të BE-së t'i vënë sërish në tavolinë kriteret politike, nëse institucionet e Maqedonisë posedojnë kapacitet të mjaftueshëm demokratik në përputhje me kriteret e Kopenhagës. Ne duhet të punojmë pikërisht në kontekst të përforcimit të argumenteve", tha Fatmir Besimi, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Besimi tha se qeveria është e angazhuar në të gjitha fushat ku Maqedonia duhet të tregojë progres deri në dhjetor, sikurse dialogu me mediat, liria e shprehjes, pavarësia e gjyqësorit si dhe implementimi i Marrëveshjes së Ohrit. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form