TIRANE- Shqipëria duket se do të jetë një ndër katër vendet në të cilat pritet të sillen armët kimike siriane për t'u asgjësuar.
Burimet diplomatike bëjnë me dije se tashmë është vendosur që një pjesë e arsenalit kimik prej 1 mijë tonësh do të vijë në Shqipëri, vendim që pritet të merret deri në fundjave, duke bërë që dhe Shqipëria t'i bashkohet Francës, Belgjikës dhe ndoshta dhe Norvegjisë.
Mësohet se pas pastrimit që është bërë në zonën e Mjekësit ku mendohet të realizohet dhe asgjësimi i armëve kimike siriane, me një rreze veprimi prej 5 hektarësh, janë marrë dhe masa të tjera të cilat bëjnë të qartë se tashmë Shqipëria është përzgjedhur për të qënë pjesë e "hartës" së demontimit të armëve kimike të Sirisë në kuadër të kontributit si vend anëtar me të drejta të plota në NATO. Nga ana tjetër, burime ende të pakonfirmuara zyrtarisht thonë se vetëm për lirimin e zonës së Mjekësit afër Elbasanit për ta përdorur si poligon për asgjësimin e armëve kimike janë akorduar nga aleati ynë strategjik 35 milionë dollarë.